Tensionet Kosovë-Serbi, Christofer Hill: Mund të destabilizojnë Ballkanin
Pak para takimit Kurti-Vuçiç në Bruksel,

Pak para takimit Kurti-Vuçiç në Bruksel, ambasadori amerikan në Serbi, Christofer Hil përkujton se nëse nuk adresohen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, tensionet në Ballkan mund të përshkallëzohen.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters ai tha se është marrë mjaftueshëm me problemet e Ballkanit për të ditur se ekziston gjithmonë rreziku për përshkallëzimin e tensioneve.
“Prandaj mendoj se detyra e kujtdo, duhet të jetë zbutja e tensioneve. Për të zbehur rrezikun të gjithë duhet të inkurajojmë palët te fokusohen tek ajo që do të ndodhë në negociatat aktuale”, thotë Hill.
Për të, çështja kryesore në dialog është e ardhmja e serbëve të Kosovës.
“Problemi thelbësor është te gjendet se cila do të jetë e ardhmja e popullsisë serbe në Kosovë dhe më pas të adresohen çështjet e tjera. Ata duhet te fokusohen edhe te çështja e elektricitetit në veri të Kosovës apo ajo e targave”, shtoi Hill.
Diplomati amerikan thotë se çështja e Kosovës dhe Serbisë vijon prej 20 vjetësh, dhe se ka ardhur koha për të shënuar progres serioz.
