Bruksel, Stoltenberg takon Kurtin dhe Vuçiqin
Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel....

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Ne kërkojmë anëtarësim në NATO, dhe kjo do të na mundësojë që të japim atë që vendet anëtare na kanë dhënë ne. Jemi të gatshëm që të kontribuojmë në çdo operacion të NATO-s, me të gjitha kapacitetet tona. Institucionet kanë arsye të jenë vigjilent në agjendën e dëmshme ruse për Ballkanin dhe Evropën”, është shprehur Kurti.
Stoltenberg ka ripërsëritur se në rast të rrezikimit të stabilitetit të Kosovës, misioni i KFOR-it është i gatshëm të ndërhyjë por u kërkoi të dyja vendeve që t’i ulin tensionet, pasi siç tha, të gjitha çështjet duhet të zgjidhen përmes dialogut politik.
“Veprimet tona do të jenë të matura. Ne do të bëjmë çdo gjë që do të jetë e mundur për të mundësuar që të mos ketë përshkallëzim të situatës në Kosovë. Unë e mirëpres që situata në terren është përmirësuar, por duhet të shmangim çdo përshkallëzim. Prandaj, u bëj thirrje të gjitha palëve që të veprojnë me përmbajtje. Çështjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen përmes dialogut politik”, deklaroi ai.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se dhuna duhet të refuzohet.
“Barrikada dhe dhuna nuk janë implementime sistematike. Pyetja është se si e intepretojmë çështjen e dhunës. Ne kemi mundësi të limituara për të ndërhyrë në Veri. Mos prisni që serbët të qëndrojnë dhe të shikojnë”, tha ai. (Migena Gorenca, TVM2)
