Ruskovska ende shkruan ankesën, nuk tregon kur do ta dorëzojë në KPP
Prokurorja Vilma Ruskovska ende po shkruan ankesën....

Prokurorja Vilma Ruskovska ende po shkruan ankesën e paralajmëruar pasi u suspendua nga pozita e saj. Këtë ajo e ka konfirmuar në një prononcim të shkurtër për MTV, por pa saktësuar se kur do ta dorëzojë ankesën në Këshillin e Prokurorëve Publikë. Thotë se do të deklarohet pas përfundimit të procedurës.
Nga Këshilli për Prokurorë Publikë thonë se pas pranimit të ankesës, brenda tetë ditësh do të caktojnë mbledhje dhe do të marrin vendim.
Jolevski për TVM: Këshilli vendos vetëm për pezullimin
Kreu i këtij këshilli, Antonio Jolevski, sqaron për TVM se Ruskovska nuk do të marrë pjesë në mbledhje e anëtarët e Këshillit do të vendosin vetëm për pezullimin.
“Do të caktohet mbledhja në të cilën do të shqyrtohen të gjitha shkresat që janë përpiluar apo vendosur nga ana e prokurorit public pra të gjitha dokumentet për këtë lëndë. Më pas në seancë do merret edhe vendimi. E gjithë kjo bëhet në një afat prej 8 ditësh, llogaritur nga dita e marrjes së shkresave . Ne vendosim vetëm në bazë të ankesës për suspendimin nga puna. Pjesa tjetër nuk është lëndë vlerësimi e këshillit” – tha Kryetari i Këshillit për Prokurorë Publikë, Antonio Jolevski.
Paraprakisht Kryprokurori Republikan Joveski, paraqiti propozim për fillimin e procedurës disiplinore për përcaktimin e përgjegjësisë së tre prokurorëve për shkak të dyshimit, se me dashje dhe pa arsye, kanë bërë gabim të madh profesional.
Në të njëjtën kohë ai mori vendim për suspendimin e Ruskovskës. Derisa gjërat të sqarohen, zëvendësuese e Ruskovskës është Lile Stefanova. (Florije Beluli - Kamberi, TVM2)
