Botë
Vuçiq dhe Kurti u takuan për herë të tretë, a do të ketë marrëveshje apo përafrim qëndrimesh?
18.08.2022 16:01
Ka përfunduar raundi i parë i takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq...

Ka përfunduar raundi i parë i takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi u realizua me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit Miroslav Lajçak.
Ende nuk është bërë e ditur se si ka rrjedhur takimi pasi besohet se takime mes Kurtit e Vuçiqit me ndërmjetësimin e BE-së do të ketë edhe gjatë ditës dhe më pas dy zyrtarët pritet tu drejtohen mediave. Ajo që u pa takimi nisi pa shtrëngim duarsh mes Kurtit dhe Vuçiqit, madje presidenti serb ia la dorën të shtrirë ndërmjetësit Borrell.
Siç ishte paralajmëruar në takimet në Bruksel pritej të diskutohet për “elementet e kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale që kanë të bëjnë me target dhe reciprocitetin. Ndërsa pala serbe kishte paralajmëruar insistimin e sajë për Asociacionin.
Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po realizon takime ndaras me kryemisnitrin Kurti dhe presidentin Vuçiq. Pala amerikane edhe pse nuk merr pjesë në dialog mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Presidenti serb Vuçiq, nga Brukseli ka caktuar takim me serbët nga Kosova, i cili do të mbahet të dielën në Pallatin “Serbia” në Beograd. Në takim janë të ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës, zyrtarë të Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë të komunave, kryetarët e rretheve, si dhe drejtorët e spitaleve.
GYLTENE SINANI
