Borell, takimi Kurti-Vuçiç përfundoi pa marrëveshje
Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç....

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk kanë arritur ndonjë kompromis, apo marrëveshje edhe pas dy takimeve të sotme në Bruksel që u realizuan me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarit, Miroslav Lajçak.
Siç bëri të ditur Borell pas takimeve, Kurti e Vuçiç vetëm janë pajtuar se procesi duhet të vazhdojë ditët në vijim, ndërsa Borell tha se deri më 1 shtator kur duhet të fillojë reciprociteti nuk do të dorëzohet për arritjen e një marrëveshjeje.
“Ky takim kishte të bënte me përgjegjshmërinë e dy liderëve në kërkim të zgjidhjeve në mirëbesim, për të bërë përpjekje drejtë paqes dhe stabilitetit në pjesën veriore të Kosovës. Kjo ka ndodhur në momentin kur jemi në një kohë kritike, e shohim kthimin e luftës në kontinentin tonë pas invadimit rus në ukrainë, ballafaqohemi me një moment dramatik dhe shumë të rrezikshëm për kontinentin tonë. Dhe ky nuk është momenti për rritje të tensioneve. Është koha për të kërkuar zgjidhje dhe për të zgjidhur çështje apo probleme afatgjate të qëndrueshme. Ju kam thënë të dy liderëve që ky ishte takim për menaxhim krizash, jo takim i rregullt dhe qëllimi i këtij takimi ishte të qetësohej situata në terren. Poashtu jemi fokusuar në rrugën drejtë një normalizimi gjithëpërfshirës të marrdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë që dy liderët patën mundësi të bisedonin në hollësi për këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse” – tha Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Borell, palët do të kenë përgjegjësi për çdo përshkallzim
Borell tha se ka dallime mes Kurtit dhe Vuçiqit se cili do të jetë statusi përfundimtarë i Kosovës. Borell tha se në agjendën e tij do ta ketë përshpejtimin e procesit të normalizimit.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron të shohë ringjallje të tensioneve në periudhën vijuese dhe palët do të kenë përgjegjësi të plotë për çfarëdo lloj përshkallëzimi në terren” – u shpreh Borrell.
Borell nuk dha detaje për atë se si ka rrjedhur takimi, por ajo që u pa ishte se takimi nisi pa shtrëngim duarsh, ndërsa ajo që e ka bërë të ditur paraprakisht kryemisnitri i Kosovës, Albin Kurti, ishte insistimi për reciprocitetin dhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.
Kurti dhe Vuçiç kanë realizaur takime të ndara dhe me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Presidenti serb Vuçiç, nga Brukseli ka caktuar takim me serbët nga Kosova, i cili do të mbahet të dielën në Pallatin “Serbia” në Beograd. Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin më 22 gusht do të takojë Ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, në Moskë. (Gyltene Sinani, TVM2)
