Zelensky për vizitën e Erdoganit, mesazh i fortë mbështetjeje nga një shtet i fortë
Sot, Zelenski ka zhvilluar një bisedë dypalëshe me mysafirin e tij turk....

“Një mesazh i fortë mbështetjeje nga një shtet i fortë”, kështu e ka përshkruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitën e sotme të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan në Ukrainë.
Sot, Zelenski ka zhvilluar një bisedë dypalëshe me mysafirin e tij turk, pas së cilës është mbajtur një takim trepalësh me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Sipas televizionit turk "NTV", Zelensky ka treguar se ka diskutuar me presidentin turk për mundësitë e përmirësimit të nismës për eksportimin e grurit përmes porteve të Ukrainës, si dhe situatën rreth termocentralit bërthamor në Zaporozhye. “Forcimi i bashkëpunimit tonë do të çojë në forcimin e të dy vendeve”, theksoi presidenti ukrainas.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, tha se OKB-ja duhet të sigurojë mbrojtjen e termocentralit bërthamor të Zaporozhye, i cili është nën kontrollin e forcave ruse. Zelensky tha se ai foli me Guterres në Lviv për lehtësimin e krizës globale të mungesës së ushqimit dhe ra dakord të vazhdojë koordinimin për eksportet e grurit ukrainas.
Siç tha ai, vëmendje e veçantë i kushtohet "shantazhit bërthamor të aplikuar nga Rusia në lidhje me termocentralin Zaporizhzhya" dhe se veprimet e Moskës në këtë drejtim "mund të kenë pasoja katastrofike globale".
“Prandaj OKB-ja duhet të sigurojë sigurinë e këtij objekti strategjik, çmilitarizimin e tij dhe çlirimin e plotë nga trupat ruse”, shkroi presidenti ukrainas në Telegram.
