Botë

Guterres: Dëmtimi i centralit bërthamor, nënkupton vetëvrasje

19.08.2022 11:41

Çdo dëmtim i mundshëm i centralit bërthamor të Zaporizhias do të ishte vetëvrasje.....

Çdo dëmtim i mundshëm i centralit bërthamor të Zaporizhias do të ishte vetëvrasje. Ky ishte paralajmërimi i zymtë i sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres, gjatë takimit të zhvilluar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe atë ukrainas Volodymyr Zelensky, në qytetin Lviv në Ukrainë.
 
“Mbetem thellësisht i shqetësuar për situatën pranë centralit më të madh nuklear në Europë, në Zaporizhia. Duhet të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë,  në mënyrë qe të parandalohet çdo veprim që mund të rrezikojë integritetin fizik dhe sigurinë në impiant. Çdo dëm i mundshëm aty do të nënkuptonte vetëvrasje.”, tha Guterres.
 
“Fokusi i takimit trepalësh, ishte mënyra e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit. Vlerësuam mundësinë e transformimit të atmosferës pozitive të krijuar në Stamboll, në paqe afatgjatë.”, tha Erdogan. 
 
Zelensky: Rusia kërcënon sigurinë bërthamore në botë
 
Presidenti Zelensky ka rënë në ujdi me Guterres për hollësitë e dërgimit të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, (IAEA) për të inspektuar gjendjen në Zaporizhya.
 
“Rusia duhet të lejojë menjëherë dhe pa kushte përfaqësuesit e IAEA-s në termocentral dhe gjithashtu të tërheqë menjëherë dhe pa kushte trupat e saj nga territori i uzinës. Bota ka fuqinë për ta siguruar këtë. Nëse nuk e siguron, ne thjesht mund të hedhim në koshin e plehrave të gjithë trupin e dokumenteve ndërkombëtare për sigurinë bërthamore dhe rrezatuese. Rusia po e shkatërron këtë rend ndërkombëtar.”, tha Zelensky.
 
Mbetet e paqartë nëse Kremlini do të pranojë kushtet e propozuara. Rusia ka refuzuar çmilitarizimin e zonës, sepse në këtë mënyrë, sipas Ministrisë së Jashtme në Moskë,  ky central bëhet i cënueshëm ndaj sulmeve. Ndërkohë, burime lokale në Krimenë e pushtuar nga rusët raportuan një numër shpërthimesh pranë aeroportit ushtarak të Belbek. 
 
MIGENA GORENCA