Botë

Bie qeveria e Malit të Zi, 50 vota rrëzojnë kryeministrin Abazoviç

20.08.2022 16:38

Pak pas mesnate, kur kishin diskutuar për më shumë se 12 orë, deputetët në Malin e Zi...

Pak pas mesnate, kur kishin diskutuar për më shumë se 12 orë, deputetët në Malin e Zi rrëzuan qeverinë e Dritan Abazoviç. Qeveria u rrëzua me 50 vota pro, teksa  mjaftonin 41 vota nga 81 në total.
 
Tashmë, qeveria e Abazoviç do të funksionojë me mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.Mocioni për rrëzimin e qeverisë ishte kërkuar nga partia e presidentit Gjukanovic, si pakënaqësi ndaj vendimit të Abazoviç për nënshkrimin e marrëveshjes themelore me Kishën Serbe.
 
Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, Demokratët e Aleksa Beçiqit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet. Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviç nuk morën pjesë në votim. 
 
Abazoviç: Të vendosim do drejtojnë kriminelët apo qytetarët
 
Para votimit, në fjalën përfundimtare, Abazoviq tha se kjo është vetëm një nga betejat politike dhe se të gjithë së shpejti do të takohen në zgjedhje
 
“Dua të përgëzoj koalicionin e ri të Milo Gjukanoviqit dhe Aleksa Beçiçit. Shpresoj se do të krijojnë një qeveri të re, ne jemi të gatshëm t'ia dorëzojmë mandatin dikujt që do ta udhëheqë vendin me sukses, por në këtë vend tashmë duhet vendosur se kush do të udhëheq kriminelët apo qytetarët. Ne qeverisëm për 100 ditë dhe morëm vendimet më të vështira”, u shpreh Dritan Abazoviç.
 
Nëpërmjet marrëveshjes me Abazoviqin, Kisha Serbe arriti të zgjidhë të drejtën e pronësisë së pronave dhe objekteve në vend, megjithëse Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe ka mbyllur numrin më të madh të kapitujve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
 
Për formimin e kabinetit të ri, i cili supozohet se do të udhëhiqet nga Aleksa Beçiç, nevojitet një shumicë prej 41 deputetësh.Dritan Abazoviç ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë.
 
Ai e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviq. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviqit ishte “pika e kthesës” për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.
 
ADNAN HAJDARI