Botë
Mbylllje për tri ditë e ‘Nord Stream 1’, rriten pasiguritë energjetike në Europë
20.08.2022 19:22
Rusia do të ndalojë furnizimet me gaz natyror në Evropë për tre ditë në fund të muajit gusht përmes tubacionit...

Rusia do të ndalojë furnizimet me gaz natyror në Evropë për tre ditë në fund të muajit gusht përmes tubacionit të saj kryesor në rajon Nord Stream 1.
Lajmi nga gjiganti shtetëror energjetik rus Gazprom, rrit më tej presionin mbi shtetet evropiane të cilat kërkojnë të plotësojnë rezervat përpara dimrit. Gazprom tha se mbyllja ishte për shkak se i vetmi kompresor i mbetur i tubacionit kërkon mirëmbajtje.
Mirëmbajtja e paplanifikuar e gazsjellësit Nord Stream 1, i cili kalon nën Detin Baltik për në Gjermani, thellon krizën energjetike midis Moskës dhe Brukselit, që tashmë ka shkaktuar rritjen e inflacionit në rajon dhe ka rritur rrezikun e racionimit dhe recesionit.
Bashkimi Evropian ka akuzuar Rusinë për përdorimin e energjisë si armë. Moska e ka mohuar akuzën dhe ka fajësuar sanksionet për rënien e eksporteve.Masa do të sjellë përçarje të mëtejshme veçanërisht për Gjermaninë, e cila varet kryesisht nga dërgesat e Rusisë për të furnizuar industrinë e saj.
Gazsjellësi Nord Stream tashmë funksionon me vetëm një të pestën e kapacitetit të tij, duke nxitur frikën se Rusia mund të ndalojë plotësisht flukset në prag të sezonit të ngrohjes dimërore dhe ta bëjë më të vështirë mbushjen e objekteve të magazinimit.
