Lindsey Vonn hyn në histori, fitorja e 62-të në karrierë

18.01.2015 16:34

Skiatorja amerikane, Lindsey Vonn, shënoi fitoren e 62-të në karrierën e saj dhe barazoi rekordin me ish-skiatoren e mirënjohur austriake, Annemarie Moser-Proell...

Ajo shënoi fitore në disiplinën e lëshimit në Kupën e Botës, e mbajtur në Qendrën e Skive në Cortina d'Ampezzo të Italisë. Pas më shumë se 30 viteve Moser-Proell mbante rekordin por që tani e barazoi super amerikania Vonn, e cila në lëshim bëri mrekulli, duke e zënë vendin e parë me kohë të kaluar 1 minutë, 39 sekonda e 61 qindtat.

Vonn ishte në formë të madhe, rrëshqiti në stilin e saj, pa asnjë gabim dhe për 32 të qindtat prapa vetes ka lënë austriaken Elisabeth Goergl, ndërsa në piadestal u ngjit edhe vendasja Daniela Merigheti.

Kjo ishte fitorja e tretë e Vonn gjatë këtij edicionit pas rikthimit nga lëndimi që e pati lënë një kohë jashtë shtegut. Vonn deri më tash ka fituar 32 gara në lëshim, 20 në supersllallom të madh, tri në sllallom të madh, dy në sllallom, si dhe pesë garat e superkombinimit.

Me triumfin e sotëm dhe 100 pikët e reja, amerikanja vazhdon të prijë në rënditjen e lëshimit me gjithsej 358 pikë, 125 më shumë se e dyta, Tina Maze.

Nga ana tjetër, sllovenja sot ishte e pesta dhe me 45 pikët e reja, prinë edhe më bindshëm në rënditjen e përgjithsme, me 922 pikë, plotë 317 më shumë se e dyta, Mikaela Shiffrin.