Djegja e spitalit modular në Tetovë, më 6 shtator fillon gjykimi, akuzohen 3 persona

22.08.2022 13:03

Dy ditë para një vjetorit të ngjarjes tragjike....

Dy ditë para një vjetorit të ngjarjes tragjike, gjegjësisht më 6 shtator, në Gjykatën themelore të Tetovës do të fillojë gjykimi për djegjen e spitalit modular në Tetovë. Sipas Sistemit informativ për menaxhim automatik të lëndëve gjyqësore, lënda është sistemuar tek gjykatësi Jordan Velkovski.

Pas shqyrtimit të aktakuzës, gjykatësi tani e fillon gjykimin.

Prokuroria publike më 27 korrik ngriti aktakuzë kundër 3 personave fizik dhe një personi juridik. Të akuzuar për zjarrin në spitalin modular të Tetovës që trajtonte të infektuar me “Covid-19”, janë ish drejtori i spitalit, Florim Besimi, person udhëheqës në spital, mjeku kujdestar dhe vet Spitali i Tetovës.

“Me rastin lidhur me spitalin modular në Tetovë, pas aktakuzës së dorëzuar nga ana e PTHP Tetovë me nr. KO 531/22 me të cilin F.B dhe A.E akuzohen për veprën e rëndë penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe B.V. për veprën penale të mosveprimit sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë, ndërsa personi juridik ISHP Spitali klinik Tetovë, për veprat penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe mosveprimit sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë është sistemuar tek gjykatësi nga Sektori penal me lëndën K nr.450/22”, njoftuan nga Gjykata themelore e Tetovës.

Zjarri në spitalin modular në Tetovë ka ndodhur më 8 shtator të vitit 2021, ku humbën jetën 14 persona. Pas hetimit 10 mujor, Prokuroria themelore publike e Tetovës, më 27 korrik të vitit 2022 tek gjykata kompetente ka dorëzuar aktakuzë.

Në hetim morën pjesë ekspert dhe hetues nga vendi dhe Gjermania.

Sipas ekspertizës  zjarri është shkaktuar nga një lidhje e shkurtë e qarkut elektrik ku ishte i lidhur defibrilatori. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)