Botë
Peleshi dhe Cuci për sulmin e rusëve në Gramsh
22.08.2022 17:20
Sulmi u dy rusëve dhe një ukrainasi me lëndë paralizuese ndaj ushtarëve shqiptarë që ruanin ish-uzinën e armëve në Gramsh...

Sulmi u dy rusëve dhe një ukrainasi me lëndë paralizuese ndaj ushtarëve shqiptarë që ruanin ish-uzinën e armëve në Gramsh mund të jetë bërë për të shmangur vëmendjen nga një tjetër ngjarje armiqësore. Këtë hipotezë e dha ministri i mbrojtjes Niko Peleshi teksa solli në vëmendje edhe sulmin kibernetik që Shqipëria pësoi pak javë më parë.
"Ngjarja e Gramshit po të trajtohet me seriozitet dhe me shumë vëmendje për shkak të elementit të dhunës dhe faktit që janë 3 të huaj me pasaporta ruse e ukrainase dhe që kishin disa ditë në Shqipëri. Nuk kanë qenë vetëm në Gramsh por dhe në zona të tjera. Nuk na shqetëson çfarë kanë tentuar të fotografojnë në Gramsh por mund të kenë pasur dhe synim që të devijojnë vëmendjen nga një skenar tjetër" tha Peleshi në konferencë për median krah ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi
Sipas Peleshit baza e Gramshit dhe ajo e Poliçanit paçka se nuk janë aktive për prodhime ushtarake kanë materiale me vlerë monetare.
Ndërsa ministri i brendshëm Bledi Çuçi sqaroi se dy rusët dhe ukrainasi janë në hetim pasi kanë goditur për shkak të detyrës ushtarakët dhe dyshohen për spiunazh.
"E kemi në kontroll çdo gjë në lidhje me këtë situatë dhe përfundimi i hetimeve do të tregojë se me çfarë rasti konkret kemi të bëjmë. Objekti nuk përbën sekret shtetëror, por ne po hetojmë qëllimin e këtyre njerëzve që kanë hyrë pa leje dhe kanë ushtruar dhunë ndaj personave që kanë ushtruar dhunë."- tha ai.
Dy rusët dhe ukrainasi po fotografonin ambientet në Uzinën ushtarake në Gramsh dhe teksa tentuan të futen brenda, u pikasën nga ushtarët të cilët u bënë me shenjë që të ndalojnë. Ata nuk iu bindën urdhrave të ushtarëve, ndërsa njëri prej tyre i sulmoi me spraj kimik duke i shkaktuar lëndime në fytyrë. Aktualisht 3 të huaj janë arrestuar dhe pritet që të mërkurën të dalin para gjykatës për tu njohur me akuzat e spiunazhit dhe të goditjes për shkak të detyrës.
LULJETA NDOKA
