Botë

Moskë, Vulin takoi kryediplomatin rus Lavrov

22.08.2022 17:54

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka vizituar Moskën ku është pritur nga shefi i diplomacies ruse Sergei Lavrov....

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka vizituar Moskën ku është pritur nga shefi i diplomacies ruse Sergei Lavrov.
 
Vulin i ka thënë kryediplomatit rus se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk është bërë pjesë e histerisë anti-ruse”, njoftoi Ministria serbe e Punëve të Brendshme. Vulin tha po ashtu se Serbia, e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, “nuk harron shekujt e vëllazërisë” me Rusinë dhe shprehu “mirënjohje të madhe” ndaj Moskës “që në mënyrë të vazhdueshme respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”.
 
Ndërkaq, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, tha se shteti i tij do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje Serbisë për të ruajtur integritetin e saj territorial, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Vulin e cilësoi Lavrovin si “mik të sinqertë” të Serbisë dhe popullit serb dhe tha se i “vjen keq” që kryediplomatit rus nuk iu mundësua që të vizitonte Beogradin në qershor “për shkak të vullnetit të shteteve të tjera”. Sipas Vulinit, moslejimi që Lavrov të vizitonte Serbinë ishte “shkelje e të gjitha parimeve të ligjit ndërkombëtar”.