Vërshime në disa pjesë të vendit
Reshjet e mbrëmshme të shiut kanë shkaktuar vërshime....

Reshjet e mbrëmshme të shiut kanë shkaktuar vëshime në disa pjesë të vendit. Qendra Rajonale e Menaxhimit të Krizave njofton se në Tetovë, mbrëmë pas reshjeve të dendura të shiut që filluan rreth orës 20:00, përveç rrugëve kryesore të qytetit, janë vërshuar edhe bodrumet dhe garazhet e shtëpive.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se menjëherë ka filluar edhe ndërhyrja nga institucionet kompetente.
Reshjet e mbrëmshme shkaktuan mbyllje të rrugës që të çon nga stadiumi te kazerma dhe shumë rrugë të tjera.
Besar Durmishi nga komuna e Tetovës njoftoi se është intervenuar në disa venbanime dhe se janë pastruar rrugët gati se në të gjitha zonat e prekura.
“Një ekip është në fshatin Sellcë ku vetëm se ka pastruar rrugën dhe është rruga e lëvizshme, ekipi tjetër është këtu në fshatin Xhermë për të pastruar rrugën dhe për ta bërë të lëvizshme. Ekipi tjetër ka qenë në fshatin Reçicë e Vogël, konkretisht tek varrezat ku edhe atje Lumi doli nga shtrati shkaku i problemeve që janë hasur, menjëherë kanë intervenuar, gjithçka është pastruar dhe gjithçka është e lëvizshme, një ekip tjetër ka qenë i angazhuar në fshatin Poroj ku edhe atje te ura pati një defekt dhe rrezikoheshte të dalë lumi nga shtrati, është intervenuar dhe gjithçka është në rregull” – u shpreh Besar Durmishi nga Komuna e Tetovës
Durmishi tha se në Drenovec dhe Potok disa banorë kanë mbetur pa strehë, me çka janë vendosur në hapësirat e zjarrfikësve, ndërsa paralajmëroi mbledhjen e Shtabit të Emergjencës për të diskutuar rreth situates së krijuar dhe kompensimit të dëmeve.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova”, Nuredin Fetai tha se është intervenuar në të gjitha lokacionet e prekura nga moti i ligë në Tetovë, ndërsa janë angazhuar edhe kompani private për ndihmë.
“Kemi qenë në krye të detyrës 20 minuta pasi që kemi marrë lajmin se në Reçicë të Vogël ka dalë prej shtrati lumi dhe gjithandej nëpër Tetovë, pastaj morëm vesh që edhe në fshatin Xhermë ka prurje të mëdha dhe menjëherë erdhëm me mjetet tona që i disponojmë si ndërmarrje, kemi marrë edhe ndihma prej firmave private me bagerë të cilat janë dislokuar në Vicë, Sellcë, bager kemi pasur edhe në fshatin Poroj, tentojmë që të mbajmë në kontroll shtratin e Lumit, në bazë të informatave që kemi edhe nëpër Tetovë nëpër qytet brenda ka pasur prurje dhe ka dëme materiale”, - tha Drejtori i “NPK Tetova”, Nuredin Fetai.
Në terren ishte edhe Drejtori i Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, i cili nga Reçica e Vogël, ku poashtu kishte prurje të mëdha të shiut, tha se gjithçka është në kontrollë.
“Nuk besoj se do të ketë më shumë, shiu që ishte i parapraë nga ora 20 deri në ora 21 është ndalë, siç shihet ka një pjesë e tokës tek rruga e UÇK-së në Reçicë të Vogël. Ne jemi në terren bashkë me përfaqësuesit e komunës. Ne duhet të punojmë së bashku, që të lirojmë rrugën” – deklaroi Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekm Maksuti.
Kreu i bashkësisë lokale në Xhermë të Tetovës, Ruhan Adili tha se në këtë vendbanim fatmirësisht nuk ka banorë që kanë mbetur pa strehë si pasojë e motit të ligë që kaploi Pollogun.
Sipas tij banorët dhe autoritetet u angazhuan bashkarisht për të pastruar rrugët.
“Kjo është fatkeqësi natyrore, na ndodhi çfarë na ndodhi. Ju jeni prezent vetë. Këtë shtëpinë këtu e kemi më të rrezikuar, rrugët janë bllokuar. Shumë jam i kënaqur, faleminderit shumë prej ekipit të komunës. Kemi edhe banorët këtu, gjithë natën do jemi bashkë, të bëjmë diçka” – u shpreh Kryetari i Bashkësisë Lokale në Xhermë, Ruhan Adili.
Me përmbytje janë përballur mbrëmë edhe pjesë të Prilepit, Dollnenit dhe Krivogashtanit. Konkretisht përmbytje ka pasur në fshatrat Lazhan, Debreshtë dhe Zhitosh.

“Më kritike është në fshatin Llazhan ku një pjesë e madhe e fshatit është nën ujë. Uji ka hyrë nëpër shtëpi”, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Ndërsa metereologët nuk japin informacione optimiste, pasi sipas parashikimit të tyre në mbarë vendin moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme, ndërsa në disa pjesë të vendit në orët e pasdites dhe në mbrëmje moti do të jetë jostabil dhe me kushte për reshje të shiut, bubullima dhe erë të përforcuar.
