Qyteti i Shkupit shpalosi planin për kursim të energjisë elektrike

23.08.2022 14:25

Nga 1 shtatori, pjesë të kryeqytetit do të zhyten në errësirë....

Nga 1 shtatori, pjesë të kryeqytetit do të zhyten në errësirë. Për shkak të krizës energjetike, Qyteti i Shkupit prezantoi planin për kursim të energjisë duke fikur të gjithë konsumatorët e panevojshëm të energjisë elektrike, siç janë reklamat me ndriçim dhe objektet e ndërmarrjeve komunale. Kryetarja e qytetit të Shkupit Arsovska premton se rrugët nën kompetencë të qytetit nuk do të jenë të pandriçuara, por nuk mund të garantojë për ato nëpër komunat e Shkupit, sepse përgjegjës për to janë kryetarët e komunave atje.

“Sa i përket ndriçimit rrugor mund të them se qyteti i Shkupit që prej fillimit kur ishte paralajmëruar kjo krizë energjetike ka vepruar drejt uljes së intensitetit të ndriçimit publik të rrugëve dhe bulevardeve që janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit. Qyteti i Shkupit në asnjë kusht nuk do ta ç’kyç tërësisht ndriçimin publik të rrugëve dhe bulevardeve të cilat janë nën kompetencë të saj, pasi parimisht vlerësojmë se prioritet duhet të jetë interesi publik, posaçërisht siguria e shkupjanëve”,- tha kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
 
Arsovska pret ndihmë nga qeveria për t'u ballafaquar me krizën energjetike këtë dimër. Ata veç më kanë diskutuar me Ministrinë e Mjedisit për të shmangur ndotjen e shtuar të Shkupit për shkak të rritjes së numrit të qytetarëve që ngrohen me dru.
 
ERSAN PAJAZITI