Botë
Në Ditën e Pavarësisë ukrainase, sulme afër centralit bërthamor
23.08.2022 16:07
Në prag të Ditës së Pavarësisë në Ukrainë, Rusia bombardoi rajonin e Zaporizhjas.....

Në prag të Ditës së Pavarësisë në Ukrainë, Rusia bombardoi rajonin e Zaporizhjas, shtëpia e centralit më të madh bërthamor në Evropë, ku luftimet e fundit kanë shkaktuar frikë për një incident katastrofik bërthamor, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan se Moska po planifikon sulme në infrastrukturë dhe objekte qeveritare, që përkojnë me Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat ruse vazhduan të lëshonin raketa dhe predha artilerie në qytetet ukrainase afër uzinës bërthamore. Në deklarata të ndara, Ambasada e SHBA-së në Kiev dhe një zyrtar amerikan paralajmëruan për planet ruse për të goditur infrastrukturën civile dhe qeveritare ditët në vijim.
“Duke pasur parasysh historikun e Rusisë në Ukrainë, ne jemi të shqetësuar për kërcënimin e vazhdueshëm që sulmet ruse paraqesin për civilët dhe infrastrukturën civile, këto deklarata bazohen në disa informacione të inteligjencës së SHBA-së.”,- u tha nga Ambasada amerikane në Kiev.
Zelensky: Do të kthejmë të gjitha tokat e pushtuara
Në gjashtë mujorin e ofensivës rusë në Ukrainë dhe në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, presidenti Volodymyr Zelensky është zotuar për ta sjellë “paqen në Ukrainë dhe se Kievi do ta rikthejë sundimin e Ligjit mbi rajonet e aneksuara nga Rusia.
“Ne kurrë nuk do të njohim ngjyrat e huaja në tokën tonë dhe në qiellin tonë. Dhe ne jemi gjithmonë të gatshëm të mbrojmë flamurin tonë të verdhë e blu. Do ta kthejmë çdo pëllëmbë të tokës tonë që na e kanë marrë.",- tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.
Sipas Krye-diplomatit të BE-së, Josep Borrell, lufta nuk duket të jetë afër fundit dhe për këtë ai premtoi mbështetje të vazhdueshme ushtarake nga vendet e BE-së.
“Duket e arsyeshme që një luftë që zgjat dhe duket se do të zgjasë duhet të kërkojë një përpjekje jo vetëm në drejtim të furnizimeve me pajisje, por edhe në drejtim të trajnimit dhe ndihmës për organizimin e ushtrisë. Dhe kjo është ajo që po diskutohet mes vendeve anëtare dhe do të diskutohet në Këshillin e Ministrave të Mbrojtjes dhe shpresoj se do të miratohet.",- theksoi kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.
Vendet ku janë kryer masakrat më të mëdha në Ukrainë,i vizitoi presidentja e KE-së, Ursula Von Der Leyen.
"Këtu ka ndodhur e paimagjinueshme, ne kemi parë fytyrën mizore të ushtrisë së Putinit. Ne kemi parë pamaturinë dhe gjakftohtësinë me të cilën ata kanë pushtuar qytetin. Këtu në Bucha ne pamë njerëzimin tonë duke u shkatërruar dhe është... gjithë bota është në zi me popullin e Buçës.”.- theksoi presidentja e KE-së, Ursula Von Der Leyen.
Ofensiva ruse në Ukrainë më 24 gusht po hyn në muajin e gjashtë. Në këtë luftë jetën e kanë humbur mijëra civilë, në mesin e tyre mbi 400 fëmijë.
FLUTURA LATIFI
