Haraçina pa energji elektrike, banorët: Duhet të organizojmë protesta
Haraçina vazhdon të mbetet në errësirë dhe pa ujë....

Haraçina vazhdon të mbetet në errësirë dhe pa ujë. Për të satën herë me radhë në periudhën e fundit ata po ç’kyçen nga rrjeti i energjisë elektrike me arsyetimin se ka defekte në rrjetin e furnizimit me energji elektrike.
Banorët e revoltuar kërkojnë mobilizim të udhëheqësisë dhe zgjidhjen të këtij problemi, qoftë edhe përmes protestave apo padisë ndaj EVN-së.
Thonë se keqpërdorime të energjisë elektrike si në çdo vendbanim tjetër ka edhe në Haraçinë, por të ç’kyçet nga rrjeti i tërë fshati, përfshirë edhe ata që me rregull i paguajnë faturat elektrike, kjo është e papranueshme.
“Prej dje nuk kemi energji elektrike, parashtrohet pyetja pse? Thonë 3 ditë nuk do të vijë rryma. Dëm sa të duash. Janë prishur frigoriferët, ujë nuk kemi, pa rrymë as ujë nuk ka. Apeli ndaj EVN-së është të dalim dhe t’i bllokojmë rrugët se ndryshe nuk vinë ta rregullojnë.”,- tha një qytetar.
“Ata që nuk e paguajnë rrymën, shteti mundet t’i ndalë. Thonë se në Haraçinë sulmohen të EVN-së, por ajo nuk është e vërtetë. Atyre që nuk e paguajnë, mundet EVN t’ia ndalë, ka polici dhe pushtet, ndalja atyre. Unë e paguaj rregullisht, ne pa rrymë në këtë kohë të nxehtë. Pa ujë, pa rrymë, pa asgjë.”,- u shpreh një qytetar.
“Ujin e sjellim vetë. Çdo 3-4 ditë e mbushim nga një rezervuar prej 3 tonëve për pastrim, ndërsa ujë të pijshëm mbushim te ekonomia dhe atje më lart. Haraçina nuk i ka ato fjalë që ia etiketojnë. Kryetari i komunës e këshilltarët duhet të organizohen të dalin në protesta, ndoshta kjo nuk do të ndihmojë, por të shohin të gjithë se po kërkojmë diçka që na duhet.”,- u shpreh një qytetar.
Qytetarët vazhdojnë të akuzojnë EVN-në se po faturon shpenzime më të mëdha të energjisë nga ajo realja.
“Shqiptarëve ua dërgojnë faturat nga 200 euro, ndërsa maqedonasve nga 100 ose 800 den.. Kudo që shkon kështu e ke - fshat apo qytet. Unë vet i dyti paguaj 5000 denarë rrymë, dimrit ngrohemi me dru, ja ku e kam bombolën e gazit. Gjithë shqiptarët paguajnë dyfish, krejt rrogën e harxhojnë në pagesën e rrymës. Le ta bëjnë 1000 denarë si maqedonasve, gjithë populli do ta bëjë pagesën, edhe Haraçina.”,- tha një qytetar.
EVN: Kemi pengesa në sanimin e defekteve në teren
Çdo ndërprerje të Haraçinës nga rrjeti i energjisë elektrike, nga EVN arsyetojnë me shfrytëzimin ilegal të energjisë elektrike dhe me pengesën e ekipeve të EVN-së për kryerjen e aktiviteteve dhe sanimin e defekteve teknike në teren nga ana e qytetarëve.
"Për shkak të shfrytëzimit të vazhdueshëm ilegal të energjisë elektrike nga ana e banorëve, mbingarkohen trafostacionet dhe shkaktohen defekte të mëdha. Gjithashtu janë të identifikuara edhe pajisje tjera të dëmtuara. Shumë shpesh ekipet e elektro-distribuimit ballafaqohen me sulme verbale dhe fizike. Me këtë, në tërësi pamundësohet funksioni normal dhe kryerja e punës.",-njoftojnë nga EVN.
MPB: 1 rast për vjedhje, 4 për asistencë në Haraçinë
TVM2 kërkoi të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme për atë se sa paraqitje janë bërë nga ana e EVN-së për pengesa në kryerjen e aktiviteteve të punës në Haraçinë dhe shfrytëzimin ilegal të energjisë nga ana e banorëve të kësaj komune.
"Gjatë vitit 2022 janë vërtetuar 44 paraqitje për vjedhje të energjisë elektrike, prej të cilave 19 janë në territorin e komunës Saraj, 6 në Çento, 1 rast në Haraçinë dhe 18 raste në Draçevë. Vetëm në 4 raste EVN ka kërkuar asistencë policore për territorin e Haraçinës.",- njoftojnë nga MPB.
Edhe kreu i komunës, Ridvan Ibrahimi, disa herë ka ripërsëritur se EVN duhet t’i qaset më seriozisht trajtimit të këtij problemi që nuk ndodh për herë të parë dhe se banorët e Haraçinës duhet të trajtohen të barabartë me gjithë qytetarët e këtij vendi. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
