Maqedoni

Zgjedhjet e pjesshme lokale, KShZ i shpalli rezultatet përfundimtare

23.08.2022 17:23

Komisioni Shtetëror Zgjedhor shpalli si përfundimtare rezultatet e votimit në komunat Mavrovë-Rostuse dhe Qendër Zhupë...

Komisioni Shtetëror Zgjedhor shpalli si përfundimtare rezultatet e votimit në komunat Mavrovë-Rostuse dhe Qendër Zhupë, meqë në afatin e paraparë ligjor, nuk u dorëzua asnjë ankesë. Në Mavrovë - Rostushë, kryetar komune është zgjedhur Medat Kurtovski ndërsa në Qendër Zhupë - Arijan Ibrahimi. Në këto dy komuna, të shtunën më në fund u arrit  censusi, pas dy përpjekjeve të dështuara paraprake.
 
“Vërtetojmë rezultatet përfundimtare për zgjedhjen e  kryetarëve të komunave Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë, që janë  Medat Kurtovski  nga koalicioni “Më e mira  për komunën time”, i udhëhequr nga LSDM, ndërsa në Qendër Zhupë - Arijan Ibrahimi nga Partia Demokratike e Turqve.”,- tha nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
 
Nuk kishte ankesa as në zgjedhjet për këshillin komunal në Tetovë, kështu që edhe për këtë komunë u vërtetuan rezultatet përfundimtare. Sipas modelit të Dontit, për ndarjen e mandateve për këshilltarë në komunë e Tetovës, mandate kanë fituar 6 subjekte politike. Lëvizja Besa ka fituar 12 mandate, BDI  11, VMRO-DPMNE 4, LSDM 2 , PDSH – 1, Alternativa 1. Pa asnjë mandat mbetën Aleanca për Shqiptarët, Më mirë për Tetovën, Grupi i votuesve Agon Zaimi,  Integra, PDTM, PÇER dhe E majta. Zgjedhjet e  jashtëzakonshme në Tetovë u mbajtën për shkak se këshilli i kaluar, nuk arriti të votojë llogarinë përfundimtare në afatin e paraparë ligjor. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU