6 muaj luftë në Ukrainë, Zelensky: Luftë deri në fund për tokat tona
Për 6 muaj, ukrainasit kanë jetuar nën rrethim...

Për 6 muaj, ukrainasit kanë jetuar nën rrethim, ndërsa Rusia vijon kryqëzatën agresive për të marrë kontrollin e vendit.
Në këtë ditë që shënon edhe 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga sundimi sovjetik, presidenti Zelensky ftoi qytetarët ukrainas që të mos e lejojnë Moskën të mbjellë dëshpërim e frikë në këtë ditë feste.
Ai u zotua se do të marrë pas edhe Krimenë nga rusët, e tha se lufta e sotme në Ukrainë, i ka pikërisht rrënjët në konfliktin në Krime, për të cilin reagimi ndërkombëtar ishte shumë i dobët.
“Gjatë këtyre gjashtë muajve, ne ndryshuam historinë, ndryshuam botën dhe ndryshuam veten. Ne bëmë një zgjedhje, më në fund u bëmë me të vërtetë një. Një komb i ri që u shfaq më 24 shkurt në orën 4 të mëngjesit. Nuk ka lindur, por rilindur. Do të luftojmë deri në fund. Po mbajmë gjashtë muaj. Është e vështirë për ne, por kemi shtrënguar grushtat duke luftuar për fatin tonë. Çdo ditë e re është një arsye e re për të mos u dorëzuar. Donbasi është Ukraina. Krimea është Ukrainë. Dhe ne do ta kthejmë atë. Cilado qoftë rruga. Lironi tokat tona. Këto janë kushtet tona, të thjeshta dhe të qarta." – thotë Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Kievi këtë të mërkurë është zgjuar nën masa të rrepta sigurie, me qytetarët që janë ftuar të mos dalin në rrugë për të festuar, pavarësisht vlerës që merr “Dita e Pavarësisë”, me Ukrainën të pushtuar nga Rusia.
Rreth 6.5 milionë njerëz janë larguar nga vendi sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 6.6 milionë të tjerë që janë shpërngulur brenda kufijve, pothuajse 1 mijë fëmijë janë vrarë apo plagosur, mbi 9 mijë janë viktimat në radhët e ushtrisë ukrainase dhe mbi 5500 mes civilëve.
Ushtria ruse, sipas të dhënave të Pentagonit, ka humbur në luftë thuajse 75 mijë forca ushtarake. (Adnan Hajdari, TVM2)
