Kurti: Serbia e pa interesuar për normalizim të plotë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti...

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, thotë se edhe pas takimit të 18 gushtit në Bruksel, Serbia mbetet e painteresuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve.
Në mbledhjen e qeverisë Kurti njoftoi për 6 kapitujt e palës kosovare për kornizën e marrëveshjes me Serbinë, që përfshijnë definiminn e qartë të statusit të marrdhënieve bilaterale- me njohje reciproke, ballafaqimin me të kaluarën që definojnë edhe bashkëpunimin për të ardhmen, trajtimin e barabartë të pakicave respektive, marrëveshjet e deritashme dhe në fund mekanizmat për zbatimin e tyre.
“Fatkeqësisht ky elaborim i imi nuk është shoqëruar me kontribut pozitiv nga pala tjetër, e cila në vend të ideve ka nxjerrë vetëm konstatimin se nuk janë të interesuar për normalizim të plotë por për hapa të vegjël e gradual...Ka qenë takim i liderëve dhe duhet të bisedojmë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, e jo thjeshtë për menaxhim krize e me hapa të vegjël, e probleme potenciale e eventuale të sigurisë” – tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Komandanti i KFOR-it: Nuk ka rrezik për luftë në Kosovë
Por komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Ferenc Kajari, nuk pret eskalim të situatës. Në një intervistë për RTK-në, ai se KFOR-i nuk do të lejojë bllokime rrugësh megjithëse pranon se e ka rritur praninë në veri.
“Rezoluta 1244 mandaton KFOR-in të ruajë situatën e sigurisë në Kosovë dhe të sigurojë një mjedis të sigurt. Ne do të përdorim të gjitha kapacitetet tona sipas nevojës për të ruajtur situatën e sigurisë. KFOR-i ka të gjitha kapacitetet dhe mandatin për të vepruar kundër çdo grupi që mund të kërcënojë situatën e sigurisë. KFOR-i ka ngritur pika vëzhgimi dhe pika të kontrollit teknik në zonë. Ne gjithashtu kemi shtuar aktivitetet tona të patrullimit. Këto masa janë marrë për të reaguar ndaj çdo lloj incidenti. Nëse ka tensione, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë” – u shpreh Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori, Ferenc Kajari.
Kajari u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm dhe të angazhohen në negociata dhe marrëveshje politike.
Kajari nuk ka dashur të komentojë nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar që trupat e KFOR-it të përqendrohen në urën kryesore mbi lumin Ibër, duke thënë se vetëm KFOR-i dhe askush tjetër nuk vendos për aktivitetet ushtarake dhe misionin e trupave të KFOR-it. (Sanije Duraku, TVM2)
