Botë
Lajçak dhe Eskobar në Kosovë, takime me Osmanin dhe Kurtin
24.08.2022 17:18
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi....

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, e vjen një ditë pasi Osmani takoi zyrtarin amerikan Escobar me të cilin folën për dialogun dhe qasjen e Kosovës në këtë proces.
Pas takimit nuk ka pasur prononcime për media, përveç një postimi në rrjetet sociale të presidentes Osmani e cila ka shkruar: “Në takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon. Institucionet tona janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtar dhe çdo vendim i yni reflekton frymën kushtetuese të vendit tonë dhe vlerat tona demokratike. Partneriteti ynë me SHBA-të vazhdon të jetë qenësor.”
Lajçak dhe Eskobar u takuan edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe liderët opozitarë. Vizita e emisarëve të ShBA-së dhe BE-së në Kosovë vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë më 18 gusht dhe para datës 1 shtator kur do të fillojë zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe reciprocitetit për dokumentet e Serbisë, me çka nuk është pajtuar Serbia. Nga Prishtina Eskobar dhe Lajçak do të udhëtojnë drejtë Beogradit, ku do të takojnë presidentin Serbi Aleksandar Vuçiq.
GYLTENE SINANI
