Qeveria sot pritet të shpallë gjendjen e krizës energjetike
Qeveria pritet që sot të sjellë vendim..

Qeveria pritet që sot të sjellë vendim për shpalljen e Gjendjes së krizës në sektorin e energjisë e cila do të hyjë në fuqi nga 1 shtatori.
Me këtë hap të Qeverisë, do të mundësohet që kompanitë energjetike të mund të fitojnë më shumë të holla në kohë krize, me qëllim të prodhimit më të madh të energjisë elektrike dhe blerjes së thëngjillit dhe mazutit.
Institucionet kompetente ndërkohë sigurojnë se në periudhën e ardhshme dimërore energji do të ketë dhe se kufizimet nuk janë opsion nëse shkohet sipas planit të Industrisë së Energjisë Elektrike të Maqedonisë së Veriut. Kompania, siç ka thënë disa herë drejtori gjeneral Vasko Kovaçevski, është duke punuar me kapacitet maksimal dhe do të vihen në funksion të gjitha objektet që EVM ka në dispozicion.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, para pak kohësh deklaroi se po bisedohet me ministritë e Energjetikës të Serbisë dhe Bullgarisë që të mos ndalen kapacitetet ndërkufitare dhe të mos ketë probleme me furnizimin e konsumatorëve në tregun e lirë.
Në pritje të dimrit që po vjen, i cili vlerësohet të jetë më i vështiri në 70 vitet e fundit, Qeveria më 16 gusht miratoi një paketë masash për kursimin e energjisë elektrike nga institucionet dhe rekomandime kursimi për kompanitë dhe qytetarët, e cila duhet të hyjë në fuqi më 1 shtator.
Me paketën e masave të kursimit pritet që kursimet të jenë deri në 15 %. Masat për kursimin e energjisë elektrike , do të vlejnë deri në fund të marsit 2023.
