Maqedoni

Qytetarët: Çmimet rriten për çdo ditë, rrogat mbeten të njëjta

25.08.2022 16:09

Çmimet e produkteve ushqimore vazhdojnë të rriten. Qytetarët ankohen se çmimet po rriten për çdo ditë...

Çmimet e produkteve ushqimore vazhdojnë të rriten. Qytetarët ankohen se çmimet po rriten për çdo ditë, ndërsa rrogat dhe pensionet janë të njëjta. Kjo i detyron ata që të kufizohen vetëm në blerjen e produkteve mëse të domosdoshme. Çmimet në markete asnjëherë nuk kanë qenë më të shtrenjta, madje buka është shtrenjtuar dyfish, ankohen qytetarët. 
 
“Çmimet janë në nivel të lartë. Nuk mund të blihet diçka kualitative dhe të jetë më lirë.”,- tha një qytetare.
 
“Gjithçka është zjarr, e pa prekshme, me 12 mijë apo 15 mijë denarë pension çfarë mund të blihet?”,- theksoi një qytetar.
 
“Buka është shtrenjtuar dyfish, gjithçka është shtrenjtuar.”,- u shpreh një qytetar.
 
Në tregjet e gjelbra po ashtu edhe blerësit edhe shitësit janë të pakënaqur. 
 
“E pa paramendueshme, domatet 100 denarë, ashtu edhe specat padjegës.”,- theksoi një qytetar.
 
“Tani janë shumë shtrenjtë në krahasim me vitin e kaluar.”,- u shpreh një qytetar.
 
“Çdo vit keq e më keq. Është shumë dobët, nuk ka shitje. Malli është shtrenjtë, njerëzit nuk kanë para.”,- tha një tregtar.
 
“Nuk jam fare e kënaqur. Është shtrenjtë gjithçka që shesim ne. Duhet çmime më të lira për të shitur, në të kundërtën dobët.”,- u shpreh një tregtare.
 
Me ardhjen e vjeshtës në kushte të krizës energjetike situata do të bëhet edhe më e vështirë, kanë frikë qytetarët.
 
“Faturat janë shtrenjtuar ishte dymijë denarë tani është dymijë e pesëqind.”,- tha një qytetar.
 
“Kur të vijnë faturat e reja tani do të jenë më të larta.”,- theksoi një qytetar.
 
“Po më kap frika, pasi ka humbur njerzillëku, askujt nuk po i intereson asgjë përveç t’i mbush xhepat.”,- u shpreh një qytetar.
 
Për shkak të krizës energjetike qeveria ka dalë me masa për kursim nga ana e institucioneve publike, që synon uljen e konsumit për 15%. Masat do të jenë në fuqi deri në mars të vitit të ardhshëm. Po ashtu rekomandohet që edhe amvisëritë dhe bizneset të jenë sa më të kujdesshme në konsumin e energjisë elektrike. 
 
GYLTENE SINANI