Maqedoni

Aksidenti i autobusit të “Besa Trans”, Dimitrov: Kërkohet dëmshpërblim 750 mijë euro

25.08.2022 17:37

Avokati i familjarëve të viktimave të udhëtarëve të fatkeqësisë së autobusit të “BESA TRANS”, Nikolaj Dimitrov...

Avokati i familjarëve të viktimave të udhëtarëve të fatkeqësisë së autobusit të “BESA TRANS”, Nikolaj Dimitrov, ka deklaruar se dëmshpërblimi për familjarët që përfaqëson ai arrin në mbi 750.000 euro.
 
Dimitrov për Agjencinë e lajmeve MIA ka potencuar se dëmshpërblimi është në përputhje me kufirin e përgjegjësisë së sigurimit dhe praktikën gjyqësore në Bullgari, duke shtuar se e gjithë procedura është në një fazë shumë të avancuar. Sipas tij, paditë do të ngrihen brenda pak ditësh dhe do të kërkohet një shqyrtim i përbashkët nga Agjencia Bullgare për Infrastrukturë Rrugore dhe përfaqësuesi i kompanisë maqedonase të sigurimeve "Grave", të cilët në Bullgari përfaqësohen nga Byroja Kombëtare e Bullgarisë dhe Kompanitë e Sigurimit të Automobilave.
 
Personi i caktuar kishte inspektuar vendin e aksidentit, ku si cak i inspektimeve kanë qenë gjendja e infrastrukturës rrugore, sipërfaqja e rrugës, shenjat e komunikacionit, dhe të gjithë elementët e tjerë që mund t'i përgjigjen pyetjes se si ka ndodhur saktësisht aksidenti.
 
Avokati Dimitrov ka vlerësuar se ekspertiza do të jetë gati për disa muaj. Për shkak të faktit se aksidenti ka ndodhur në territorin e një shteti anëtar të BE-së, trashëgimtarët ligjorë të shtetasve të vdekur të Maqedonisë mund të përdorin kufijtë e sigurimit në vendet anëtare të BE-së, ku ato janë deri në 12 herë më të larta.
 
Kufiri i përgjegjësisë civile në Maqedoninë e Veriut arrin deri në 600 mijë euro, ndërsa në Bullgari si anëtare e BE-së arrin deri në 5.2 milionë euro dhe për këtë, sipas avokatit, kur të dorëzohen kërkesat, të njëjtat do të bëhen që të shfrytëzohen kushtet bullgare, të cilat janë pjesë e atyre evropiane dhe që të gjitha viktimat të dëmshpërblehen.
 
Nëse vërtetohet faji i Agjencisë së Infrastrukturës Rrugore të Bullgarisë, aty nuk ka kufi përgjegjësie. Dimitrov tha gjithashtu se bagazhet e qytetarëve të Maqedonisë të cilët humbën jetën gjatë fatkeqësisë tashmë janë kthyer, por janë identifikuar disa sende që i mungojnë një klienti të tij. Ai tha se gruaja e tij, e cila vdiq së bashku me fëmijën e tyre gjatë aksidentit, kishte bizhuteri, të cilat më pas mungonin. Autobusi i Agjencisë turistik “Besa Trans” ishte aksidentuar në autostradën Struma në Bullgari në nëntor të vitit të kaluar.
 
FITIM KRYEZIU