Maqedoni
Bizneset kërkojnë ngrirje të çmimit të energjisë, Bytiqi: Na pret një dimër i vështirë energjetik
25.08.2022 17:59
Kriza energjetike, masat për përballimin e saj dhe kërkesat për ndihmën e biznesmenëve dhe reformat tatimore...

Kriza energjetike, masat për përballimin e saj dhe kërkesat për ndihmën e biznesmenëve dhe reformat tatimore, kanë qenë temë e bisedës në takimin e përfaqësuesve të qeverisë me odat ekonomike. Përfaqësuesit e odave ekonomike kanë kërkuar ngrirje të çmimit të energjisë elektrike dhe heqje të TVSh-së, pasi që, siç thonë, asnjë çmim produkti nuk mund ta mposht çmimin e lartë të energjisë elektrike.
“Kemi situatë ku me të vërtetë kompanitë që janë kryesisht në kapacitetet prodhuese janë në situatë të vështirë, sepse faturat e tyre, nëse krahasojmë qershorin me korrikun, paguajnë fatura dy-tre fish më të larta. Është shumë me rëndësi që ato kompani të mbështeten që të mos vendosin çelës në derë.”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
“Situata me kompanitë është shumë e vështirë. Shumë kompani kanë vendosur që nëse deri më tani kanë punuar në tre turne, tani të kenë vetëm një ndërrim. Ata që kanë pasur vetëm një ndërrim ndoshta nuk kanë asnjë. Kësi lloj të çmimit të energjisë elektrike asnjë çmim produkti nuk mund ta mposht, kështu që patjetër që ne si ekonomi do të jemi jofitimprurës. Për dallim prej atyre shteteve që kanë çmim fikës të energjisë.”,- u shpreh Trajan Angellovski nga Oda e Industrisë.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bityqi, tha se vendin e pret një dimër i vështirë dhe se përgjegjësinë për vendimet që do të merren për përballimin e krizës energjetike do ta mbajnë të gjithë.
“Nga sot e tutje të gjithë do të jemi përgjegjës për këtë. Nëse marrim borxhe për të ndihmuar ekonominë, edhe ekonomia edhe qeveria me vetëdije do të hyjnë në një çështje të tillë dhe ne do ta dimë se dikush do të duhet ta paguajë atë borxh dhe ne do të vendosim së bashku nëse do të jetë me taksa më të larta.”,- theksoi zëvendëskryemisnistri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
Qeveria për herë të dytë këtë vit, detyrohet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme energjetike në mënyrë që të hapë portofolin dhe të transferojë para nga buxheti i shtetit te prodhuesi i energjisë elektrike ESM, të cilat do të përdoren për të blerë qymyr dhe naftë.
SANIJE DURAKU
