Maqedoni
Energjia elektrike në Haraçinë, Bekteshi: Nuk e arsyetoj veprimin e EVN-së
25.08.2022 18:21
Pas problemeve të shumta që qytetarëve të Haraçinës të cilët në mënyrë kolektive...

Pas problemeve të shumta që qytetarëve të Haraçinës të cilët në mënyrë kolektive u ç’kyçën për disa ditë nga sistemi i energjisë elektrike, ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kryetari i komunës, Ridvan Ibrahimi, dhe përfaqësues të EVN-së u dakorduan që prej ditës së hënë ekipet e EVN-së do të mund që pa pengesa të veprojë në territorin e Haraçinës.
Ministri Bekteshi me këtë rast theksoi se humbje të energjisë elektrike nuk ka vetëm në Haraçinë, por edhe në disa qytetet tjera të vendit, si Gostivari, Kërçova Kumanova etj dhe se problemi nuk duhet të lokalizohet.
Institucionet do të bëjnë maksimumin që manipuluesit dhe keqpërdoruesit dëmin mos e bëjnë në krah të qytetarëve. Humbjet e energjisë elektrike në RMV duhet të minimizohen, theksoi Bekteshi.
Ai nuk saktësoi se me cilin ligj apo rregullore kompania private EVN ka vendosur të bëjë ç’kyçje kolektive nga rrjeti i furnizimit të energjisë elektrike. Sa i përket ankesave të qytetarëve se EVN po jep fatura paushale, Bekteshi tha se EVN duhet të kontrollohet nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
EVN: Rryma nuk u ndërpre, por kishte defekt
Përfaqësues të EVN-së vazhdojnë të theksojnë se kanë pasur sulme të shumta fizike dhe se energjia elektrike nuk është ndërprerë qëllimisht por për shkak të defekteve të shkaktuara nga mbingarkesa.
“Energjia elektrike nuk është ndërprerë por për shkak të shfrytëzimit ilegal rrjeti është stërngarkuar dhe ka ndodhur defekt. Askush nuk bën qëllimisht defekte.”,- tha një përfaqësues i EVN-së.
Pas protestave disa ditore dhe presionit media, prej mbrëmë banorët e Haraçinës përsëri u furnizuan me energji elektrike.
FLORIJ BELULI KAMBERI
