Lajçak dhe Eskobar takuan serbët e veriut dhe udhëtuan në Beograd
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak...

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, së bashku me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë takuar përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës. Lajçak, me këtë rast ka deklaruar se në veriun e Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut.
“Kjo është arsyja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale. Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”, tha Lajçak pas takimit të zhvilluar në Mitrovicën e Veriut.
Ai nuk deshi të flasë për zgjidhje dhe propozime të mundshme, duke thënë se “misioni po vazhdon” dhe se paqja duhet të ruhet. Edhe Escobar tha shkurt se “misioni vazhdon në Beograd” dhe ai shpreson të bëjë një deklaratë në Beograd, pas takimit me presidentin serb Vuçiq.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për “Bloomberg” ka deklaruar se nuk pranon shtyrje tjetër të afatit për target dhe reciprocitetin. Nëse situata përshkallëzohet në dhunë, policia dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it prej 3,800 trupash të NATO-s do t’i japin fund, citohet të ketë thënë Kurti.
