Escobar: Dialogu nuk është klinikisht i vdekur

26.08.2022 11:10

Kosova dhe Serbia duhe të zotohen....

Kosova dhe Serbia duhe të zotohen se nuk do të ketë dhunë në veri. Kjo ishte kërkesa e qartë e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, pas vizitës së zhvilluar këtë javë në  Kosovë dhe Serbi këtë javë.

Zyrtari  i lartë i Shteteve të Bashkuara tha se dialogu i ndërmjetësuar nga BE do të vazhdojë dhe se shpreson qe deri në fund të muajit të arrihet një marrëveshje.

Ai pranoi se bisedimet me të dy liderët kanë qenë të vështira, por se ka parë gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

“Dialogu nuk është klinikisht i vdekur. Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e dialogut, por ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi EUropian. Shpresoj që deri në fund të muajit ne do të gjejmë rrugë për të vazhduar. Në të njëjtën kohë, dialogu do të vazhdojë. Të gjitha marrëveshjet do të duhet të zbatohen, përfshirë formimin e Asociacionit” – tha i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perendimor, Gabriel Escobar.

Që bisedimet me Vuçiç nuk ishin aspak të lehtë këtë e konfirmoi edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili zhvilloi dy takime me Vuçiçin.

Vuçiç: Nuk mund të arrijmë marrëveshje për targat

Ndërkohë presidenti serb ishte i prerë se për targat nuk do të ketë komrpomis. Madje ai akuzoi një ditë më parë KFOR-in se po ndihmon shqiptarët të shtypin serbët.

“Ne do të vazhdojmë bisedimet dhe besoj se në ditët në vijim do të mund të arrijmë një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë të vogël, pasi është e qartë se një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare sa u përket targave dhe disa çështjeve më të mëdha” – tha Presidenti i Serbisë, Aleksandar  Vuçiç.

Lajçak dhe Escobar vizituan këtë javë Kosovën dhe Serbinë, që të përshpejtojnë marrëveshjen për shmangien e tensioneve mes dy vendeve, para hyrjes në fuqi të vendimeve për reciprocitetin në kufi më 1 shtator.

Teksa në media kanë qarkulluar zëra se palët mund të dakordësohen për një tjetër shtyrje të zbatimit të masave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përsëritur se do t’i përmbahet vendimit.