Zelensky: Europa ishte një hap larg katastrofës bërthamore

26.08.2022 14:16

Europa u përball me mundësinë e një katastrofe bërthamore të enjten....

Europa u përball me mundësinë e një katastrofe bërthamore të enjten, paralajmëroi presidenti Volodymyr Zelensky, pak pasi centrali në Zaporizhia i pushtuar nga rusët, u shkëput nga rrjeti elektrik për herë të parë në histori.

Dy reaktorët e fundit ende në punë të centralit u mbyllën për shkak të zjarreve dhe linjave të dëmtuara të energjisë, duke shtuar frikën për një aksident të mundshëm. Zelensky tha se vetëm pas hyrjes në funksion të gjeneratorëve, Zaporizhia kishte rifilluar të operonte në mënyrë të sigurt.

“Nëse gjeneratorët me naftë nuk do të ishin ndezur dhe nëse stafi ynë në central nuk do të kishte reaguar pas “blackout”-it, atëherë Europa do të përballej me pasojat e një rrjedhje radioaktive. Dëmi u shkaktua nga zjarret që dëmtuan linjat e energjisë të lidhura me centralin bërthamor” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Kompania shtetërore bërthamore tha se kishte nisur puna për të rilidhur 2 reaktorët me rrjetin elektrik. 4 reaktorët e tjerë të Zaporizhias kanë qenë jashtë funksionit për pjesën më të madhe të luftës.

Luftimet pranë kompleksit më të madh në Europë, kanë alarmuar botën për një katastrofë të mundshme bërthamore, si ajo e Cernobilit.

Teksa pushimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e shtatë, presidenti Vladimir Putin nënshkroi të enjten  një dekret për të rritur numrin e forcave të armatosura ruse në 2.390.758 nga 1.902.000 që janë aktualisht.

Dekreti hyn në fuqi në 1 janar, 2023. (Sedat Selimi, TVM2)