“Mjekësia e vjetër” i jepet kadastrës, Kasami: Vendimi i paligjshëm, bëhet për hakmarrje
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami....

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, do ta padisë Qeverinë për vendim sipas tij, të kundërligjshëm, me të cilin objekti i njohur si “Mjekësia e Vjetër”, i jepet në shfrytëzim të përhershëm Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive.
Kasami akuzon se me këtë vendim, Qeveria ka shkelur Ligjin për Arsimin fillor dhe të mesëm, pa asnjë konsultim me komunën.
Ai kërkon që qeveria të tërheqë urgjentisht vendimin dhe objekti të përdoret ekskluzivisht për qëllime arsimore.
“Me këtë vendim ky objekt i jepet në shfrytëzim Kadastrës pa asnjë nevojë dhe pa asnjë konsultim paraprak. Këtë vendim e vlerësojmë si arbitrar dhe si hakmarrje, duke ndëshkuar procesin arsimor dhe nxënësit nga Tetova, duke e ditur se në këtë objekt mbahet mësim. Me këtë vendim të Qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, vuajnë drejtpërdrejt nxënësit , duke ua pamundësuar kushtet elementare për arsim” – tha Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në objektet e Mjekësisë së Vjetër mësojnë aktualisht paralelet maqedonase nga gjimnazi "Kiril Pejçinoviq". Kasami tha se nxënësit do ta nisin vitin e ri shkollor në kohë, pavarësisht kësaj situate. (Visar Sadiki, TVM2)
