Maqedoni

LEO: Çmimi i energjisë i pa përballueshëm

27.08.2022 16:21

Nëse shteti nuk ndihmon bizneset shumica do të falimentojnë, për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektritke...

Nëse shteti nuk ndihmon bizneset shumica do të falimentojnë, për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektritke, vlerëson nënkryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike Goran Georgievski. Kërkojnë që të caktohet një shumë maksimale që kompanitë mund ta paguajnë dhe çdo denarë që iu vjen atyre më tepër se ajo shumë, ta paguajë shteti deri sa të zgjat kriza energjetike.
 
“Asnjë prodhim nuk mundet ta përballojë këtë çmim të energjisë elektrike. Ne këtu e kemi edhe një problem. Problemin se kemi një ekonomi jo-konkurente në krahasim me vendet përreth. Sepse atje çmimi i energjisë elektrike lëviz prej 60 deri në 90 euro prë megavat/orë. Përderisa te ne, kompanitë e vogla kanë 220 euro tarifë të lirë, 260 tarifë të lartë, ndërsa kompanitë e mëdha janë hedhur në bursë, ku dje çmimi i energjisë elektrike ishte 700 euro për megavat në orë, kurse kemi informata se pas vitit të ri çmimi i energjisë do të jetë mbi 1000 euro për egavat në orë.”, tha Goran Georgievski, nënkryetar i LOE-së.
 
VMRO-DPMNE kritike qeverinë për rritjen e çmimit të energjisë 
 
Opozita maqedonase kritike qeverinë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sipas tyre porej se është Kovaçevski në krye të qeverisë, çmimi i energjisë për amvisëritë është rritur 50%, kurse për bizneset 400%. 
 
“Në vetëm pak muaj çmimi që paguajnë qytetarët për energjinë elektrike është rritur me 50%. Kjo do të thotë nëse më pak se një vit më parë keni paguar 3.000 denarë, tani paguani së paku 4.500 denarë. Ky trend negativ rritës do të vazhdojë edhe në periudhën e dimrit, veçanërisht për amvisëritë që ngrohen me energji elektrike. Gjithashtu, çmimi për faturat e energjisë elektrike që paguan sektori i biznesit është rritur me 400%. Kjo do të thotë se nëse një ndërmarrje e vogël apo e mesme deri para disa muajsh paguante për një faturë prej 5000 eurosh, tani paguan të paktën njëzet mijë euro.”, tha Marija  Miteva nga VMRO-DPMNE.
 
Mockoski: Për 7 ditë EMV me shitje ka humbur mbi 350 mijë euro 
 
Ndërsa kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë vetëm për 7 ditë EMV-ja me shitjen e rrymës ka humbur mbi 350 mijë euro, ndërsa paratë kanë përfunduar në xhepa private në dëm të shtetit. Mickoski në një postim në facebook ka publikuar shifrat e shitjes së rrymës së tepërt javën e kaluar, e cila sipas tij ka mund t’i shitet kompanive vendore. Sipas Mickoskit, qytetarët dhe ELEM-EMV për vetëm një javë kanë pësuar dëme prej rreth 22 milionë denarë. Ai ka akuzuar se paratë po vidhen dhe po përfundojnë te individë të caktuar. 
 
EMV: Çmimet i formon oferta
 
Nga Elekranat e Maqedonisë së Veriut thonë se përzgjidhet oferta më e lartë. Duke marrë parasysh çmimet e marra nga disa ofertues, shihet qartë se çmimi i arritur është ai që është real për gjashtë ditët në fjalë, thonë Elekranat e Maqedonisë së Veriut duke reaguar në lidhje me deklaratat e liderit të opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. EMV thotë se energjinë nuk ia shet HUPEX-it, por e shesin në vend. 
 
“Të gjitha shpenzimet e mëtejshme, nëse ajo energji nxirret jashtë, përballohen nga blerësi, siç janë dhënia me qira e objekteve ndërkufitare dhe shpenzimet e tjera të tregtimit në bursë, të cilat rrisin çmimin përfundimtar në bursë,”, sqaron EMV. 
 
Nga 25 gushti qeveria ka shpallur gjendje krize në sektorin energjetik. Nga qeveria thonë se ky vendim merret me qëllim që tu ndihmohet bizneseve dhe qytetarëve përmes miratimit të masave të ndryshme për të përballuar krizën energjetike.  
 
ERSAN PAJAZITI