Botë
Vuçiq: Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë
27.08.2022 18:13
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se më nji shtator do të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat serbe...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se më nji shtator do të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat serbe. Ndërkaq, lidhur me vendimin për dokumentet serbe, ai kërkoi që nga ky vendim të përjashtohen serbët që jetojnë në Kosovë. Gjatë një konference për media në Beograd, Vuçiq tha se me Kosovën nuk u arrit zgjidhje kompromisi për këto dy tema.
“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për targat, që do të thotë se do të fillojë së zbatuari më nji shtator. Megjithatë, është një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”, tha ai.
Sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Vuçiq tha se ato mund të lëshohen, por shtoi se për Serbinë është e rëndësishme që serbët nga Kosova që kanë dokumente serbe të mund të lëvizin dhe hyjnë e të dalin nga Kosova. Sipas presidentit serb, bisedimet me palën kosovare ishin “interesante”, por "të pasuksesshme". Ai tha se Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë mes vendeve. Kjo është kërkesë e Prishtinës zyrtare që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.
“Harrojeni këtë dhe mos ejani në Beograd me histori të tilla sepse janë të pakuptimta.”, tha Vuçiq. “Për çështje të tjera jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhje kompromisi”, shtoi presidenti serb i cili insiston që dialogu të vazhdojë lidhur me Asociacionin e komunave serbe.
