Botë

Kosova dhe Serbia arrijnë marrveshje për dokumentet

27.08.2022 18:24

Serbia ka pranuar dokumentet e Republikës së Kosovës me çka nuk do të ketë më pengesa për lëvizje të lirë mes shtetasve të dy vendeve...

Serbia ka pranuar dokumentet e Republikës së Kosovës me çka nuk do të ketë më pengesa për lëvizje të lirë mes shtetasve të dy vendeve. Këtë e bëri të ditur Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. 
 
“Kemi një marrëveshje. Në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për poseduesit e dokumenteve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i kërkojë ato për poseduesit e dokumenteve të Serbisë”, ka shkruar ai në Twitter.
 
Borrell tha se Bashkimi Evropian ka marrë garanci nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, për zbatimin e kësaj marrëveshje derisa ka përgëzuar atë dhe presidentin serb që arritën pajtim për këtë çështje. 
 
“Serbët e Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Kjo është një zgjidhje evropiane. Ne i përgëzojmë të dy liderët për këtë vendim dhe lidershipin e tyre”, përfundoi Borrell. 
 
Ndërsa Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka falënderuar ShBA-në dhe të dërguarin e tyre për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet identifikuese. 
 
“E falënderoj Gabriel Escobar dhe diplomacinë amerikane për angazhimin e tyre të madh në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar ai në Twitter ku edhe e ka rishpërndarë postimin e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor ku u bë e ditur se ka marrëveshje. 
 
Paraprakisht Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se më nji shtator do të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat serbe.  Ai tha se Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë mes vendeve. Kjo është kërkesë e Prishtinës zyrtare që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia kërkon zgjidhje kompromisi. Presidenti serb i cili insiston që dialogu të vazhdojë lidhur me Asociacionin e komunave serbe.