Maqedoni

Ukrainë, forcat ukrainase zmbrapsin sulmet ruse në Donbas

28.08.2022 15:52

Forcat ukrainase kanë vazhduar të zmbrapsin përpjekjet ruse për të depërtuar rreth qytetit strategjik të Bahmutit...

Forcat ukrainase kanë vazhduar të zmbrapsin përpjekjet ruse për të depërtuar rreth qytetit strategjik të Bahmutit, derisa forcat ruse po tentojnë të shtrijë kontrollin mbi rajonin e Donbasit.
 
Pasi javë më parë morën Severodonjeckun dhe Lisiçanskun, forcat ruse tani janë përqendruar në marrjen e Bahmutit. Ky qytet – që vlerësohet se kishte 70.000 banorë para se Rusia të niste pushtimin e paprovokuar më 24 shkurt – ka qenë cak i granatimeve të reja më 27 gusht. Granatime ka pasur edhe në afërsi, në Soldedar dhe Zaitseve, tha ushtria ukrainase. Në raportin e ushtrisë ukrainase u tha se kanë arritur të ndalin përparimin rus edhe në dy qytetet e tjera të mëdha, Sllovijansk dhe Kramatorsk.
 
Ushtria ukrainase po ashtu tha se forcat e saj janë ende duke e mbajtur kontrollin në qytetin Avdijavka, teksa ka arritur të zmbrapsë sulmet me artileri dhe ajrore ruse. Poashtu autoritetet ukrainase kanë njoftuar për sulme nga forcat ruse me raketa dhe artileri në qytete dhe zona pranë termocentralit bërthamor ukrainas në Zaporozhye. Gjatë natës është  sulmua edhe qyteti i Zaporizhias, rreth 40 kilometra nga centrali bërthamor, si pasojë u plagosën dy persona. Autoritetet ukrainase kanë filluar të shpërndajnë tableta jodi për banorët pranë termocentralit bërthamor të Zaporozhyes.