Maqedoni

Viti i ri shkollor me sfida të vjetra, arsimtarët skeptik për furnizimin me libra

28.08.2022 16:41

Disa ditë para startimit të vitit shkollor, sfidat për shkollat mbeten pothuajse të njejta...

Disa ditë para startimit të vitit shkollor, sfidat për shkollat mbeten pothuajse të njejta. TVM 2 qëndroi në Shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Shkup, ku po zhvillohen  punime intenzive për rekonstruimin  e infrastrukturës shkollore që sic premtojnë  nga drejtoria, do të përfundojnë më 1 shtator. Ka filluar edhe distribuimi i libraveshkollorë. Por kur pyetëm mësuesit a do të ketë libra për të gjithë, nuk ishin të sigurt. Thonë se kërkesat për libra, shkollat i bëjnë në afatin e caktuar ligjor pra vonesat nuk janë për faj të tyre.   
 
“Shkollat të gjitha i bëjnë kërkesat në kohë të caktuar,  nuk kanë shumë punë, i numërojnë nevojat e tyre për libra e mjete. Por këtu është poenta te MASH-i, që nga kohrat e hershme kanë filluar  gabimet,  disa vite mësojmë me Kembrixhin në shkollat fillore, në të mesmet nuk vazhdon pastaj punohet me tjetër programe. Sa i përket punëve teknike, mund të përmirësohen por sigurisht nuk e kryejnë punën e tyre e njerëzit kompetentë që i marrin këto përgjegjësi.”, tha Xhelal Ramadani, arsimtar.
 
Ramdani ka vërejtje edhe për konceptin e ri për arsim fillor. Sipas tij, pa u pyetur opinion më i gjërë për impaktin nga reformat, nuk duhet të shpejtohet.
 
“Kur planifikohet program i ri si psh  klasa e parë dhe katërt, duhet për të, të pyten prindërit dhe intelektualët, në përgjithësi që pak më shumë i njohin këto çështje dhe mos të shkohet me program ad hok si Carovska, që filloi që duhet të integrohemi në Europë por për shumë gjëra jem mbrapa. Të mos marrin programe për të cilat nuk dime  se si do të arrihet fundi i tyre.”, tha Xhelal Ramadani, arsimtar. 
 
Mungesa e disa librave, MASH: Shkollat do kenë materiale nga BZHA
 
Pyetëm edhe në MASH se a do të ketë libra për nxënësit që do të mësojnë me planprograme të reja e ata na u përgjigjën se askush nuk do lihet pa libra.
 
“Nxënësit e klasës së parë, të dytë, të katërt dhe të pestë, materialet e të cilëve ndryshohen, nuk do të mbeten pa libra. MASH dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit, kanë përgaditur materiale për dy muajt e parë, që të ruhet kontinuiteti i mësimit.”, thon nga MASH.
 
MASH siguron se të gjitha librat për nxënësit që mësojnë sipas konceptit të vjetër, shkollave do t’u dorëzohen në kohë. 
 
FLUTURA LATIFI