Botë

Përmbytjet, sfida më e madhe e Pakistanit në dekada

30.08.2022 10:21

Autoritetet dhe organizatat humanitare po reagojnë ndaj përmbytjeve më të rënda që ka përjetuar Pakistani në dekada...

Përmbytjet gjatë dy muajve të fundit në Pakistan janë më të rëndat në disa dekada. Ato  kanë  prekur rreth 33 milionë njerëz dhe kanë shkaktuar vdekjen e pothuajse 1200 të tjerëve 

72 nga 160 rrethet e vendit janë goditur nga fatkeqësia, një e treta e Pakistanit, është  nën ujë, duke krijuar një “krizë të përmasave të paimagjinueshme” që nga qershori kur filluan reshjet sezonale monsune.
 
Të paktën një milion shtëpi, 162 ura dhe gati 3,500 kilometra rrugë janë dëmtuar ose shkatërruar në të gjithë vendin e Azisë Jugore. Përmbytjet kanë vrarë gjithashtu më shumë se 800,000 kafshë dhe kanë dëmtuar tokat bujqësore dhe të korrat vitale.
 
Pakistani tashmë ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për t’u marrë me pasojat e përmbytjeve masive. Disa vende, duke përfshirë Kinën, Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë dërguar tashmë aeroplanë me artikuj ushqimor, çadra, ilaçe, ndihma të tjera dhe ekipe kërkim-shpëtimi.
 
Përmbytjet e këtij viti janë të krahasueshme me ato të vitit 2010, gjatë të cilave mbi 2000 njerëz humbën jetën.Zyrtarët pakistanezë dhe të Kombeve të Bashkuara thonë se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet pasi shirat po vazhdojnë dhe më shumë lumenj po dalin nga shtrati i tyre. 
 
OKB-ja pritet të nisë një apel për 161 milionë dollarë për Pakistanin, duke thënë se fondet do të ndihmojnë në trajtimin e nevojave kritike për ushqim dhe para në dorë për banorët e katër provincave, Baluçistanit, Sindhit, Punjabit dhe Khyber Pakhtunkhvas.
 
Përmbytjet vijnë në një kohë kur vendi po përballet me krizë ekonomike, me pakësim të rezervave të parave të huaja dhe inflacion historik. Ndikimi ekonomik mund të arrijë në të paktën 10 miliardë dollarë.