Botë
Evropa është në gjendje alarmi, mbledh ministrat e jashtëm
19.01.2015 16:00
Evropa është në gjendje alarmi pas komplotit të dështuar për vrasjen e policëve në Belgjikë dhe masakrave në Paris që lanë 17 të vdekur...

Shqetësimin kryesor tani e përbejnë evropianet e radikalizuar, që kthehen nga luftimet në Irak e Siri.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, bëri thirrje për një aleancë të zgjeruar kundër terrorizmit, ku të përfshihen dhe vendet myslimane.
Përpara takimit të krerëve të diplomacive të bllokut evropian në Bruksel, Mogherini tha se në këtë situatë është i nevojshëm një bashkëpunim më i thellë si brenda Bashkimit Evropian, ashtu dhe jashtë tij.
"Kërcënimi nuk është vetëm ai me të cilin u përballëm në Paris, por po përhapet edhe në shumë pjesë të tjera të botës, duke nisur nga shtetet myslimane. Ne duhet ta forcojmë mënyrën tonë të bashkëpunimit më së pari me vendet arabe, e më pas edhe brenda bllokut. Duhet te ndajmë më shumë informacione me njëri-tjetrin, e të kemi një bashkëpunim edhe më të ngushtë”- deklaroi shefja e Diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
Vala e sulmeve të fundit ishte arsyeja e samitit të shefave të diplomacive evropiane, boshtin e të cilit e përbën kërcënimi i terrorizmit në kontinentin e vjetër. Sipas të dhënave të deritanishme nga burime zyrtare e jo vetëm, numrin më të madh të luftëtarëve të huaj evropianë që kanë shkuar të luftojnë në Irak e Siri e ka Franca, me rreth 1.400.
Pas saj vijnë Britania dhe Gjermania me 600, Belgjika me 350, Suedia me 300, e në vijim me numër më të reduktuar luftëtarësh rreshtohen Holanda, Kosova, Danimarka, Spanja, Norvegjia, Irlanda, Finlanda dhe në fund Zvicra.
VALBON BEXHETI
