Maqedoni

Bërns: Korrupsioni, ndër problemet kryesore në RMV

30.08.2022 15:05

Një nga problemet kryesore me të cilat përballet Maqedonia e Veriut është korrupsioni dhe nepotizmi...

Një nga problemet kryesore me të cilat përballet Maqedonia e Veriut është korrupsioni dhe nepotizmi, vlerëson ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Kejt Meri Bërns. Ajo apeloi zyrtarët shtetëror që të vazhdojnë me zbatimin e reformave, edhe nëse ato do të sillnin përçarje politike. 
 
“E dimë se parashikimet e ardhshme do të jenë sfiduese. Mungesa e përgjegjësisë institucionale dhe transparencës, nepotizmi dhe jo-funksionaliteti sistemor kanë potencial për ta shtyrë vendin mbrapa nga potenciali i saj i plotë dhe ta minojnë konkurrencën ekonomike, të sabotojnë mundësitë për të ardhme të të rinjve. Qeveritarët duhet që me reforma sistemore të plotësojnë pritjet e opinionit. I inkurajojmë liderët ti vazhdojnë reformat edhe në këto kohëra sfiduese në kushte të përçarjes politike të sigurojnë Maqedoni të Veriut të fuqishme, inkluzive dhe demokratike.”,- deklaroi ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kejt Meri Bërns.
 
Besimi: Prioritetet përkrahja e ekonomisë
 
Për të zhvilluar shoqërinë demokratike dhe konkurrencën ekonomike, vendi do të marrë 10.3 milion dollar ndihma amerikane, të siguruara si pjesë e Marrëveshjes për grand për partneritet në mes SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut. Me këtë ndihmë vlera efektive e Marrëveshjes deri më tani është 22.1 milionë dollarë nga totali i planifikuar prej 56.6 milionë dollarësh.
 
“Prioritetet janë në përkrahjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë, prioriteti i dytë është të përkrahen të rinjtë e vendit dhe prioriteti i tretë është lufta kundër korrupsionit. Me këtë ne arrijmë edhe një përforcim të bashkëpunimit ndërmjet SHBA-ve dhe RMV-së që është jashtëzakonisht e rëndësishme, krahas përkrahjes strategjike të rrugëtimit tonë euroatlantik dhe në kohë krize kur invasioni rus në Ukrainë sfidon tregjet energjetike në Evropë.”,- theksoi ministri i financave Fatmir Besimi.
 
USAID: 10.3 milion dollarë ndihma amerikane për vendin
 
“Me këtë marrëveshje të dyja palët angazhohen të bashkë-investojnë, të sigurojnë resurse monetare dhe njerëzore, të punojnë së bashku dhe të zbatojnë iniciativa në dobi të vendit.”,- u shpreh drejtoresha e USAID-it në Shkup, Xheri Dajbll.
 
Përveç mbështetjes politike, deri më tani vendi ynë ka marrë edhe mbështetje të konsiderueshme financiare nga qeveria amerikane nëpërmjet USAID-it, e cila që nga viti 1993 ka arritur në rreth 840 milionë dollarë, u tha me këtë rast.

ERSAN PAJAZITI