Maqedoni

Forumi i BLED-it, Osmani: Nisja e bisedimeve, me rëndësi historike

30.08.2022 15:17

Fillimi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE është me rëndësi historike...

Fillimi i negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE është me rëndësi historike, ka vlerësuar ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, në takimin e organizuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, në margjinat e Forumit Strategjik të BLED-it. Sipas Osmanit, ky akt e thekson rëndësinë e politikës së zgjerimit, si një nga projektet më të suksesshme të BE-së në forcimin e unitetit evropian dhe konsolidimin e sigurisë, parimeve dhe vlerave demokratike në Europë.
 
Në takim, ku morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Osmani ka nënvizuar rëndësinë e procesi i integrimit evropian për Maqedoninë e Veriut duke ndihmuar vendin t’i forcojë potencialet e saja demokratike, ndërsa me zgjidhjen e kontesteve me fqinjët, të sigurojë zhvillim afatgjatë.
 
Në takim nuk janë anashkaluar edhe gjendja e krizës në Ukrainë si dhe çështjet e pazgjidhura në rajon, ku sipas Osmanit është e domosdoshme komunikimi dhe koordinimi i vazhdueshëm, si në kuadër të iniciativës B6, platformës joformale të ministrave të punëve të jashtme nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në margjinat e forumit slloven, Osmani ka takuar edhe përfaqësues të lartë për politikë të jashtme të BE-së duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare dhe nisjen e skriningut në Bruksel për Maqedoninë e Veriut që për 17 vite u ballafaqua me shumë sfida në rrugën drejt BE-së.
 
MERAL ISMAILI