Maqedoni
Aksidenti i autobusit në Bullgari, Dimitrov: Padi për dëmshpërblim në Bullgari
30.08.2022 15:46
Edhe pas më shumë se 9 muajve nuk ka përfundim të qartë e as dëmshpërblim të familjarëve...

Edhe pas më shumë se 9 muajve nuk ka përfundim të qartë e as dëmshpërblim të familjarëve nga aksidenti tragjik me autobusin e "Besa Trans" në Bullgari. Avokati i familjarëve të dëmtuar përveçse ka kërkuar hetim të ri për rastin për shkak të lëshimeve në procedurë, ai së fundmi po përgatit edhe dorëzimin e padive për dëmshpërblimin e familjarëve. Inkurajon familjarët që padinë ta bëjnë në Bullgari.
“Është shumë e rëndësishme që të gjitha paditë për dëmshpërblim të dorëzohen në Bullgari dhe jo para organeve të Maqedonisë. Nëse procedurat udhëhiqen në institucionet e Maqedonisë ata do të udhëhiqen nga ligjet ekzistuese dhe limiti prej 600 mijë euro nuk do të jetë i mjaftueshëm që ti barazojë kërkesat e të dëmtuarve. Në Bullgari limiti është 12 herë më shumë, rreth 5 milion e 100 mijë euro.”,- tha avokati i familjarëve të viktimave, Nikollaj Dimitrov.
Ndërkohë, përmes instrumentit ndërkombëtar për ndihmë juridike prokurorët bullgarë kanë kërkuar nga hetuesit e Maqedonisë që të kontaktojnë me udhëtarët e mbijetuar nga aksidenti i autobusit të
"Besa Trans" në Bullgari si dhe me anëtarë të familjeve të tyre me qëllim që të bëjnë mbikëqyrje të lëndës dhe të deklarohen për shkaqet e udhëtimit të familjarëve të tyre. Këtë për TVM e vërtetojnë nga Prokuroria Publike në Shkup.
"Prokurori publik nga Prokuroria Publike në Shkup përmes Ministrisë për Punë të Brendshme dhe MPB - Shkup po bën përpjekje t’i përcaktojë dhe lokojë trashëgimtarët, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë në shtetin tonë dhe t’i njoftojë me të drejtat e tyre. Sipas procedurës penale bullgare, një pjesë e tyre akoma nuk janë deklaruar për arsyet e udhëtimit të viktimave apo nuk i dinë shkaqet.",- theksojnë nga Prokuroria Publike.
Paraprakisht, zëdhënësja e Prokurorisë bullgare, Sinka Mileva, ka informuar se procedura në Bullgari është ndërprerë.
“U konstatua se një numër i madh i udhëtarëve kanë vdekur nga ngufatja prej zjarrit dhe goditja termike. Në këtë rast ka dy ngjarje, fatkeqësi dhe zjarr i cili ka shpërthyer si pasojë e fatkeqësisë. Nga përfundimi i ekspertizës për ngjarjen është vërtetuar se shoferi ka drejtuar me shpejtësi të madhe me çka ka humbur kontrollin mbi autobusin.”,- theksoi zëdhënësja e Prokurorisë së Bullgarisë, Sinka Mileva.
Si pasojë e zjarrit të shkaktuar në aksidentin e autobusit të Besa Trans i cili po udhëtonte nga Turqia për në RMV,humbën jetën 45 persona dhe 7 I mbijetuan fatkeqësisë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
