Maqedoni

Kamioni bie në shatërvanin në shesh, qyteti i Shkupit do të sanksionojë firmën

30.08.2022 16:00

Një kamion është fundosur sërish në shatërvanin e shtrirë, në sheshin “Maqedonia” në Shkup....

Një kamion është fundosur sërish në shatërvanin e shtrirë, në sheshin “Maqedonia” në Shkup. Kamioni ra në pllakat e dëmtuara të sheshit derisa po qarkullonte brenda hapësirës ku po ngriheshin skena dhe çadrat për festivalin e birrës “Pivoland” që organizohet nga Qyteti i Shkupit. Kamioni ngeci mes pllakave duke e dëmtuar edhe një herë shatërvanin që tashmë një kohë të gjatë është jofunksional.
 
Nga Qyteti i Shkupit thonë se kamioni është futur pa leje në këtë hapësirë dhe ndaj subjektit privat do të zbatohen sanksione të ashpra.
 
“Një subjekt privat me kamion ka hyrë pa leje në sheshin Maqedonia duke shkaktuar dëme të pllakave. Qyteti i Shkupit e dënon ashpër këtë akt, do të marrë të gjitha masat ligjore për kryerjen e inspektimeve dhe sanksioneve, pas së cilës do të kërkohet kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj të mirave publike në shesh. Një sjellje e tillë nga ana e individëve është e papranueshme dhe për të do të zbatohen sanksionet më të rrepta”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
 
Kjo është hera e tretë që një automjet bie në të njëjtën hapësirë të sheshit, edhe pse më shumë herë është bërë e qartë se pllakat e vendosura mbi shatërvan, nuk janë të llogaritura për ta mbajtur pasha të rënda.