Osmani dhe Kurti apel te ndërkombëtarët: Bëni presion Serbisë për fatin e të zhdukurve

30.08.2022 16:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar Serbisë që t’i hap arkivat për të zhdukurit gjatë luftës së vitit 1999.

Kurti pas homazheve te obelisku i personave të pagjetur në oborrin e Kuvendit, bëri thirrje për presion të faktorit ndërkombëtar tek Serbia që të japin informacione për të zhdukurit me dhunë.

“Si institucione kemi përgjegjësi të bëjmë gjithçka që mundemi dhe dimë që sa më parë të zbardhet fati i atyre 1617 të pagjeturve. Njëkohësisht me faktorin ndërkombëtar të bëjmë trysni që në Beograd të hapen arkivat, që të merret vesh e vërteta për më të dashurit tanë. Në të njëjtën kohë edhe prokuroria tek ne duhet të jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas, sepse deri tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet kërkimit të përgjegjësisë prej atyre të cilët i vranë.”,- tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë ta nënshkruajë marrëveshjen për të pagjeturit. Osmani theksoi se kjo çështje është me prioritet në dialogun Kosovë-Serbi, por pala serbe nuk është e interesuar për marrëveshje, prandaj është i nevojshëm presioni ndërkombëtar.

“Për fat të keq Serbia akoma nuk e ka pranuar këtë propozim, por shpresojmë se me trysni ndërkombëtare, përfundimisht të arrihet kjo marrëveshje e cila do ta shtrinte rrugën drejt fatit të të zhdukurve me dhunë.”,- theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur së bashku me familjarët e të zhdukurve homazhe ka bërë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Nga lufta e fundit në Kosovë kanë mbetur edhe 1617 persona të zhdukur. (Gyltene Sinani, TVM2)