Maqedoni
Integrimet euroatlantike, asgjë konkrete në fillim të këtij viti
19.01.2015 16:21
Maqedonia nuk ka treguar interes të veçantë për integrimet euroatlantike në fillim të këtij viti dhe deri në këto momente nuk ka dhënë ndonjë sinjal pozitiv për përparimin e proceseve gjatë vitit 2015...

Kështu vlerësojnë analistët politik, Mersel Bilalli dhe Albert Musliu, të cilët shtojnë se edhe Bashkimi Evropian kohëve të fundit tregohet e lodhur me Maqedoninë, duke e lënë anash atë, siç ishte edhe fjalimi i fundit në Parlamentin Evropian i kryeministrit të Italisë, Mateo Renzi, i cili vlerësoi se procesi i zgjerimit të BE-së duhet patjetër të vazhdojë me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, por nuk përmendi aspak Maqedoninë.
Profesori universitar, Mersel Bilalli, madje shton se politika në vend e shfrytëzon çështjen e emrit, si pretekst për arritjen e qëllimeve të saj.
“Mendoj se çdo ditë e më shumë realisht forcohet bindja edhe në kuadër të strukturave të BE-së dhe NATO-s se Maqedonia nuk ka disponim politik në eurointegrimet dhe ato atlantike dhe çështjen e emrit e ka vetëm si mbulesë dhe pretekst që të mos i realizon qëllimet kryesore, agjenda e këtyre nuk është e dukshme, por sa më shumë kohë kalon ajo del në dritë. Nuk është faktori ndërkombëtar që gjithmonë në kohë duhet t’i kryen detyrat tona, unë mendoj se vetë këtu strukturat që menaxhojnë me shtetin nuk kanë interes të shkojnë në BE”- deklaroi profesori universitar, Mersel Bilalli.
Ndërsa analisti politik, Albert Musliu, thotë se fajtore është vetë Maqedonia, pasi të gjitha shtetet të cilat kryeministri italian i përmendi, tregojnë edhe gatishmëri për kompromis edhe vullnet të hapur me vepra, se bëjnë disa aktivitete për të forcuar pozitën e vet në rrugën drejt eurointegrimeve, siç është krimi i organizuar, dialogu politik etj.
“Edhe nëse nuk është shkaku i harresës, është një motiv plotësues për qeverinë tonë që eurointegrimet t’i vendosin si prioritet të parë të qeverisë dhe ato vërejtje dhe komente të cilat i jep Komisioni Evropian nëpërmjet raporteve, të vendosen si prioritet i qeverisë. Fatkeqësisht, ne nuk shohim se ato së paku në fillim të vitit janë ndër prioritetet, ngase dhe opinioni jonë edhe qeveria merren me çështje të cilat nuk janë në vërejtjet e KE-së. Ju e dini se pjesë e debatit politik kohëve të fundit janë reformat në arsim, kemi tash ndryshimet kushtetuese, por asnjëra prej këtyre nuk është pjesë e vërejtjeve të KE-së”- tha analisti politik, Albert Musliu.
Javën e kaluar, në fjalimin e tij në Parlamentin evropian kryeministri italian, Mateo Renzi, ka anashkaluar Maqedoninë.
Në fjalimin llogaridhënës me rastin e përfundimit të udhëheqjes gjashtë mujore me unionin, Renzi ka nënvizuar rëndësinë e vijimit të procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit.
Kryeministri italian në këtë kuadër ka theksuar se BE-ja nuk mund të jetë e plotë pa Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, por nuk e ka përmendur fare Maqedoninë.
MEFAIL ISMAILI
