Maqedoni
Mediat: ueb portalet jashtë kornizës ligjore
19.01.2015 17:12
Gjuha e urrejtjes, fotografi dhe artikuj që nuk përshtaten dhe që janë me përmbajtje të ndaluar për fëmijët...

Gjuha e urrejtjes, fotografi dhe artikuj që nuk përshtaten dhe që janë me përmbajtje të ndaluar për fëmijët, tituj vetëm për klikime dhe jo për informim të drejtë të qytetarëve dhe portale pa emër dhe mbiemër për kryerjen e veprimtarisë në vend, me këto fjalë mund të përshkruhet veprimtaria gazetareske nëpër ueb portale.
Ligji aktual për Mediat, i miratuar para një viti, nuk i përfshiu ueb portalet dhe shumë prej tyre tani punojnë pa kornizë ligjore dhe pa mbikëqyrje, thotë Milaim Fetai nga Agjencia për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale.
“Ueb-portalet nuk janë në asnjë kontroll, por nëse ndonjë person fizik e përdor gjuhën e urrejtjes, atëherë ekziston mundësia e sanksionimit. Bisedojmë për media të cilat paraqiten vetëm në formë elektronike edhe atë brendapërbrenda saj, nuk ka adresë, nuk asnjë qasje serioze të themi që të mund të trajtohet në këtë drejtim. Ka insistime edhe ju jeni me sa duket përmbajtësi i saj, që të ketë monitorim, mbikëqyrje dhe nëse konstatohen devijime, të ketë edhe sanksionime, por ama në ligjet më të reja që u miratuan, ueb portalet në insistim të të gjithëve u lanë anësh që të mos ketë mbikëqyrje”- deklaroi zëvendëskryetari i ASHAAV-së, Milaim Fetai.
Rezistenca e madhe e përfaqësuesve të portaleve që të njëjtat të mos përfshihen në kornizën ligjore për media, u mundësoi atyre që tani të mos marrin asnjë përgjegjësi për lajmet që i botojnë.
Zëvendëskryetari i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale, Milaim Fetai, të vetmin shpëtim nga kjo situatë e sheh tek vetrregullimi, tek këshilli i nderit dhe tek shoqatat e gazetarisë, të cilat duhet të reagojnë gjithmonë ndaj rasteve kur portalet shkelin kodeksin e gazetarisë.
“Këtu duhet të kemi një qasje të cilën duhet ta respektojë më tepër Këshilli i Nderit, që është në shoqatën e gazetarëve, kodi etik i gazetarëve, gjithashtu devijimet më drastike në këtë drejtim duhet që të mbulohen me sanksionime nga ana e prokurorit publik. Por, duhet të kemi një qasje mbi të gjitha profesionale, objektive, përgjegjëse në emër të lirisë, të të drejtës së shprehurit, e fjalës dhe lirisë së mediave”- tha Fetai.
Një ndër shkaqet kryesore që i la anash ueb-portalet nga korniza ligjore ishte konflikti se cilit institucion do t’i jepej e drejta të monitorojë dhe shqiptojë sanksione ndaj veprimeve të cilat nuk lejohen në fushën e gazetarisë.
Dhe në një situatë kur askush nuk i kontrollon, disa ueb portale shkelin çdo ditë rregullat e thjeshta të gazetarisë, duke publikuar lajme të cilat dalin jashtë çdo kriteri.
REXHEP QAMILI
