Maqedoni

Xhaferi: së shpejti qarkullim i lirë i qytetarëve

19.01.2015 17:17

Projektet me interes të përbashkët, krijimi i legjislacionit që do të mundësonte qarkullimin e qytetarëve përtej kufirit vetëm me letërnjoftime...

Projektet me interes të përbashkët, krijimi i legjislacionit që do të mundësonte qarkullimin e qytetarëve përtej kufirit vetëm me letërnjoftime, si dhe ndërtimi i autostradës që lidh dy vendet kanë qenë në fokusin e bisedimeve midis zëvendëskryeministrit, Musa Xhaferi, kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi në Prishtinë.
 
Në takim është folur edhe për organizimin e seancave të përbashkëta qeveritare midis dy vendeve.  
 
“Biseduam për projekte të përbashkëta, duke filluar nga lëvizja, qarkullimi i lirë i qytetarëve, krijimi i legjislacionit përkatës që e lehtëson atë, rritjen e këmbimit tregtar në mes dy vendeve, që është në favor të të dyja vendeve, deri te ndërtimi i infrastrukturës rrugore, që lidh dy vendet tona. Përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për fillimin e punimeve të autostradës dhe mbetet që ne të fillojmë nga Bllaca deri në Shkup”- deklaroi zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi.
 
“Biseduam për prioritetet e dyanshme, ku u pajtuam se kemi fusha që duhet të intensifikojmë bashkëpunimin, si në ekonomi, arsim, kulturë, projektet infrastrukturore, si dhe biseduam për çështjet globale që sot janë aktuale si për Kosovën ashtu edhe për Maqedoninë. Datën nuk e kemi caktuar, është një pajtim i përbashkët që të kemi mbledhje të qeverive. Ndërsa për qarkullimin e lirë më detajisht do të bisedojmë në të ardhmen”- tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
 
Zëvendëskryeministri Xhaferi, gjatë qëndrimit të tij është pritur edhe nga presidentja, Atifete Jahjaga dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli.
 
Në këto takime të ndara, bashkëbiseduesit kanë folur për heshtjet me interes të të dyja vendeve, thellimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe shkëmbimin e përvojave që lidhen me procesin eurointegrues.
 
NAIM RAMADANI