Maqedoni

Shkupi përballet me pasojat e stuhisë, 180 thirrje në numrat e ndihmës

31.08.2022 11:36

Shkupi po përballet sot me pasojat e stuhisë së mbrëmshme....

Shkupi po përballet sot me pasojat e stuhisë së mbrëmshme, që u shoqërua me rreshje të mëdha të shiut dhe breshërit, të cilat vërshuan  jo vetëm rrugët e kryeqendrës, por edhe shumë shtëpi dhe objekte. 
 
Pas stuhisë së mbrëmshe në Shkup në numrin 195 dhe 112 janë regjistruar 180 paraqitje të qytetarëve. “Prej tyre 80 për objekte të vërshuara, për dru të rrëzuar ka pasur 40 thirrje, për automjete të dëmtuara dhe rrugë të vërshuara nga 20 thirrje, derisa për kulme të dëmtuara 15, dhe 5 thirrje për probleme të tjera. Ka pasur edhe qytetarë të lënduar lehtë”, bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza. 
 
Pas këtyre thirrjeve,  ekipet e zjarrfikësve dhe ndërmarrjet publike kanë intervenuar në disa raste për largimin e ujit nga objektet dhe vendet kritike. 
 
Nga ndërmarrja e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve,  njoftojnë se mbrëmë janë angazhuiar për largimin e ujit dhe pastrimin e kanaleve të bllokuara, në pjesët kritike, në mbi 40 raste. 
 
EVN nga ana tjetër ka njoftuar se janë përballur me defekte në rrjetin elektrik pjesa më e madhe e të cilëve tanimë janë eliminuar, por ende pa energji elektrike janë Dvorca dhe Radusha në komunën e Sarajit. 
 
Policia e komunikacionit njofton se nga mesnata gjendja në të gjitha akset rrugore është normalizuar. 
 
Enti Hidro Metereologjik bën të ditur se mbrëmë në Shkup kishte rreshje prej 8 litrash në m2”. Më së shumti shi në 24 orët e kaluara ka rënë në Krushevë, 28 litra në një metër katror, ndërsa më së paku në Pozharan, një litër.
 
Metereologët edhe për sot në orët e pasdites njoftojnë për mot të paqëndrueshëm, në më shumë vende me shi të rrëmbyeshëm, vetëtima dhe erë të përforcuar dhe kushte për paraqitjen e breshrit. Temperatura maksimale do të jetë në interval nga 26 deri në 32 gradë.  Në Shkup paradite moti do të jetë me diell me vranësira të vogla deri në mesatare, pasdite i paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm, vetëtima dhe erë të përforcuar. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 30 gradë.
 
NAIM SINANI