Maqedoni

Vërshimet në Shkup, qytetarët numërojnë dëmet e shumta

31.08.2022 13:57

Shkupjanët edhe sot po përballen me pasojat e stuhisë, ku përveç vërshimit të rrugëve...

Shkupjanët edhe sot po përballen me pasojat e stuhisë, ku përveç vërshimit të rrugëve, u vërshuan edhe shumë shtëpi, sidomos në lagjet e komunës së Çairit. Po ashtu ka pasur edhe dhjetëra vetura të dëmtuara nga drunjtë e rrëzuar.
 
Edhe mëngjesin e së mërkurës dëmet ishin ende të dukshme. Uji pothuajse është tërhequr nga rrugët, por balta ishte aty si edhe drunjtë e rënë mbi makinat. Autoritetet vazhduan gjatë gjithë ditës të riparojnë dëmet. Por, qytetarët janë të shqetësuar për dëmet e shumta nëpër shtëpitë e tyre. Shumë rrugica në Çair u përmbytën nga uji që hyri brenda podrumeve, rruga “Xhon Kenedi” sërish nxori në sipërfaqe problemin e përhershëm me kanalizimin që pamundëson ujin të largohet duke e kthyer këtë rrugë në një lum rrjedhës. Qytetarët kërkojnë urgjentisht të zgjidhet problemi me kanalizimin atmosferik, që u shkakton kokëçarje sa herë që ka vërshime. 
 
“Kemi kaluar shumë vështirë, na ka hyrë uji, janë lagur mobiljet të gjitha. Rrymën e kemi ndalur, për atë shkak mbrëmë ishim te vëllai se s’kishim ku të flemë, kërkojmë ndihmë nga Komuna.”,- theksoi një qytetare.
 
“E hapa dritaren vetëm kur ka hy brenda, nuk e dija se ç’të bëja, e largova tepihun dhe e mbylla derën. Dikur thirra komshinjtë të hapin kanalin. Kanali i rrugës ishte zënë, prandaj është kthyer uji.”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Dëme materiale, siç e shihni edhe vetë, por fati që nuk ka ndodhur diçka me fëmijët me mbet dikush aty. I lutem komunës që sa më shpejt të veprojë se njerëzit s’kanë ku të rrinë.”,- deklaroi një qytetar. 
 
“Shumë keq, podrumi u mbush me ujë, katastrofë ka qenë, këtu kanë qenë edhe fëmijët, mezi i larguam, nuk mund ta përshkruaj, dëm ka e shihni edhe vet.”,- tha një qytetar.  
 
“Uji ka hyrë në shtëpi dhe kemi pasur dëme të mëdha.”,- theksoi një qytetar. 
 
“Gjithçka është nën ujë, nuk mund të përdorim më asgjë në shtëpi. Natën e kaluam te kushërinjtë se këtu nuk mund të flinim... 52 vjet që jetoj këtu kurrë nuk i kam parë të pastrojnë kanalizimet, as nuk i rinovojnë e rreth nesh çdo ditë ngrihen ndërtesa të reja të mëdha.”,- deklaroi një qytetare. 
 
“Në podrum 30 cm ujë kishte, hynte uji nga të gjitha anët, nga jashtë, nga kanali na ka hyrë uji në shtëpi.”,- tha një qytetar.   
 
Pasditen e së martës, Shkupi tekstualisht “lundroi” në ujë. Për disa orë rresht, edhe pasi stuhia pushoi, kryeqendra i kishte të bllokuara pothuajse të gjitha arteriet kryesore të saj. Sipas parashikimeve, edhe në ditët e ardhshme parashikohen reshje shiu dhe shkarkime elektrike.

VLORA LATIFI TOPOJANI