Maqedoni
VMRO-DPMNE: Komision hetues për krizën energjike
31.08.2022 14:17
LSDM dhe VMRO-DPMNE sërish janë përplasur rreth krizës energjetike....

LSDM dhe VMRO-DPMNE sërish janë përplasur rreth krizës energjetike. Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së kërkon formimin e Komisionit anketues për shqyrtimin e gjendjes në sektorin e energjisë. Në mungesë të masave kundër kësaj krize energjetike, çmimin për qasjen joserioze të pushtetit sërish do ta paguajnë qytetarët, thonë nga VMRO-DPMNE.
“Qeveria do ta shfrytëzojë këtë situatë krize për t'i dhënë tenderë kompanive të sapoformuara për blerjen e transportit të qymyrit që janë afërta me qeverinë. Është detyra jonë si deputetë të mbikëqyrim punën apo mospunën e qeverisë, të kontrollojmë se ku dhe si janë shpenzuar paratë për zbutjen e krizës energjetike.”,- deklaroi Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Mickoski ka blerë rrymë me çmim të lartë
Nga LSDM akuzojnë sërish kreun e VMRO-DPMNE-së. Sipas tyre, Mickoski e bleu rrymën 3-4 herë më të lartë nga çmimi i tregut, dhe çmimi i bursave botërore.
“Edhe pse çmimi i prodhimit në ESM në atë periudhë ishte 45 euro për megavat orë, Mickoski bleu me 220 euro. Kjo është një diferencë prej rreth 3 milionë euro, direkt në kurrizin e qytetarëve. Po ta kishin prodhuar atë energji nga prodhimi vendas, në vend që ta blinin, qytetarët nuk do të dëmtoheshin dhe nuk do të duhej të paguanin gati tre milionë euro më shumë.”,- u shpreh Darko Kaevski nga LSDM.
LSDM përkujton se ishte VMRO-DPMNE-ja ajo që e rriti çmimin e energjisë për 100%.
NAIM RAMADANI
