Reciprociteti, Serbia me njoftime në kufi se nuk e njeh pavarësinë

31.08.2022 14:54

Një ditë para fillimit të reciprocitetit...

Një ditë para fillimit të reciprocitetit, në të gjitha pikat kufitare që çojnë nga Kosova në Serbi janë vendosur shënime në të cilat thuhet se mundësia e përdorimit të kartave të identitetit të Kosovës është bërë ekskluzivisht për arsye praktike, për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve, dhe se nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.

Sipas këtyre tabelave, pranimi i dokumenteve të lëshuara nga Republika e Kosovës nuk duhet të interpretohet si njohje nga Serbia.

Në këto njoftime gjithashtu theksohet që përdorimi i kartave të identitetit të lëshuara nga Prishtina nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për devijimin nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Vendosja e tabelave,  vjen 24 orë para se të hyjë në fuqi marrëveshja për dokumente e 27 gushtit mes Kosovës dhe Serbisë për qarkullimin e lirë të shtetasve të dy vendeve.

Më 1 shtator hyn në fuqi vendimi për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia. Vlerësohet se në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PR, PZ, KM, UR e të ngjashme – të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët që kanë makina me targa të tilla do të mund t’i riregjistrojnë ato në targa RKS – Republika e Kosovës.

Serbia ka kërkuar që serbët në veri të Kosovës të përdorin targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, kryeministri Kurti ka hedhur poshtë një propozim të tillë. (Gyltene Sinani, TVM2)