Protesta e mjekëve të familjes, Sali: Jo ndryshimet nën presion, të diskutojmë
Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali...

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, nuk e mbështet protestën e paralajmëruar të mjekëve amë për ndërprerje të punës nga 5 deri 7 shtatori.
Të gjitha ndryshimet duhet të bëhen në tavolinë dhe në grupe të punës, nuk mundet që përmes pacientëve të bojkotohet puna, thotë Sali.
Ai nuk e kupton se pse mjekët amë duan ta tregojnë revoltën e tyre duke krijuar radhë të gjata nëpër ambulanca.
“Unë e kam të paqartë dhe nuk e mbështes këtë lloj proteste. Pakënaqësinë duhet ta tregojnë në tavolinë me propozime konkrete që do të shqyrtohen realisht. Ne kemi diskutuar në gjashtë muajt e fundit. Nuk mund të bëjmë ndryshim të sistemit për një ose dy muajsh, ose nën presion, duke e ditur që në periudhën e kaluar kemi diskutuar vazhdimisht, janë propozuar disa pika në Qeveri, janë dhënë udhëzime, këto janë procedura. Ashtu siç kemi vërejtje për blerjet publike si dhe për ndryshimet që duhet të bëhen në sistemin e trajtimit parësor shëndetësor. Duhet kohë, kjo është e vetmja gjë që u kam kërkuar mjekëve të familjes, por fatkeqësisht nuk na dëgjojnë. Ne do të vazhdojmë punën tonë intensive rreth ndryshimeve në kujdesin parësor. Kolegët e mi fatkeqësisht do të vazhdojnë të bojkotojnë , në fund janë pacientët ata që e vuajnë.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
Mjekët amë kërkojnë që udhëzimet për pacientë të jepen vetëm në formë elektronike, gjë për të cilën nga Ministria e Shëndetësisë thonë se duhet kohë. Komentet ministri Sali i bëri në përmbylljen e dy projekteve, përmes të cilave Japonia ka dhuruar dy aparate mjekësore me vlerë prej 161.000 eurove në Spitalin e Përgjithshëm “8 shtatori”. (Florije Bluli Kamberi, TVM2)
